A do të sulmojë SHBA militantët në Libi?

Zyrtarë të lartë amerikanë i kanë thënë medies se administrata po shqyrton mundësinë për një goditje ushtarake në Libi, kundër personave përgjegjës për sulmin e 11 shtatorit në misionin diplomatik të Bengazit.
Një nga pengesat e para me të cilën ata përballen është identifikimi i autorëve të sulmit që shkaktoi vdekjen e ambasadorit amerikan Christopher Stevens dhe tre diplomatëve të tjerë amerikanë.
Të dyshuarit kryesorë, grupi i militantëve Ansar al Sharia, ka mohuar përgjegjësinë, pavarësisht nga dëshmitë për rolin e tyre. Por disa analistë paralajmërojnë për pasojat që do të kishte shteti i brishtë libian nëse Shtetet e Bashkuara ndërhyjnë.
Ish-zëdhënësi i opozitës gjatë kryengritjes së vitit të kaluar, Mustafa Gheriani, argumenton se drejtësia duhet të vihet në vend nga vetë Libia.
“Nëse do që të jesh vend i ligjeve dhe jo si Afganistani apo Pakistani, duhet që çështjet të trajtohen përmes kanaleve të duhura. Ndoshta gjërat mund të ecin më ngadalë, por pa dyshim nuk duam që ngjarjet të dalin jashtë kontrollit në këtë moment”, tha Gheriani.