E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi lavdëron zgjedhjet e brendshme

Kryetari i PDK'së, Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një takim me Kryetarët e degëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ku është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në kuadër të PDK-së.

Në takim, kryetari Thaçi i ka njoftuar kryetarët e degëve të PDK-së për rrjedhën e takimit të tretë mes tij, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.

"Kryeministri Thaçi me këtë rast theksoi se temat e takimit që u zhvillua para pak ditësh në Bruksel, me lehtësimin e Përfaqësueses së lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, ishin implementimi i Marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, hapja e zyrave ndërlidhëse të shtetit të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë, mbrojtja e trashëgimisë së kishave dhe manastireve në Kosovë, transparenca e financimit të Beogradit për qytetarët serbë të veriut të Kosovës, si dhe temë prioritare e diskutimit ishte zbardhja e fatit të personave të pagjetur", thuhet ne një njoftim te PDK'se.

Në takimin e sotëm me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka folur edhe për procesin zgjedhor brenda PDK-së, duke theksuar se ky proces në nivelin lokal është duke shkuar mirë dhe me transparencë të plotë.

"Kryetari Thaçi ka përgëzuar kryetarët e degëve të PDK-së për përkushtimin e tyre për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke treguar kështu një kulturë të lartë demokratike, shembull për partitë në gjithë hapësirën shqiptare. Nga ky proces, Partia Demokratike e Kosovës do të dalë edhe më e fortë, më e konsoliduar dhe ky është edhe një lajm i mirë për qeverisjen e mirë dhe efikase në Kosovë", ka theksuar Thaçi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›