Thaçi mohon tërheqjen e forcave speciale, serbët qëllojnë një polic
(E PERDITESUAR)- Policia e Kosovës ka njoftuar se në pjesën veriore të Kosovës, afër fshatit Zubqe, ka pasur shkëmbim zjarri në mes të policisë dhe serbëve lokalë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se në këtë shkëmbim zjarri ka pasur të plagosur.
Në një shkëmbim zjarri është plagosur rëndë një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ka thënë Sadriu.
Pohimet për kompromis me Serbinë, janë hedhur poshtë nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili, sipas RTK, ka potencuar vendimin se policia e Njësisë Speciale të Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në pikat kufitare 1 dhe 31.
Ndërkaq ministri i brendshëm, Bajram Rexhepi, konfirmoi se pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë në pikën 1 të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak, kurse në pikën 31, në Jarinje, ai tha se situata është më e paqartë.
Konfirmimi i ministrit Rexhepi pasoi pohimet për tërheqjen e njësisë speciale nga dy pikat e kalimit kufitar me Serbinë.
***
Mediat kosovare sapo kanë raportuar se forcat speciale kosovare kanë nisur të tërhiqen nga njëra prej dy pikave doganore, që thuhej se ishin nën kontrollin e tyre. Nuk dihen ende arsyet pse po ndodh kjo gjë, raporton Koha Ditore, por thuhet se kontrollin tani e ka policia kufitare, e mbështetur nga KFOR. Nga ana tjetër, mediat serbe nga ana tjetër kanë thënë se tërheqja erdhi pas presioneve të mëdha ndërkombëtare dhe pas protestave të mëdha të serbëve.
Ndërkohë në Mitrovicë raportohet se ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Nuk dihen ende më shumë detaje.
Ndesia Speciale e Policisë së Kosovës është tërhequr nga pika kufitare Bërnjak, në bazë të një urdhri të dhënë, ndërsa gjatë tërheqjes janë sulmuar nga serbët e armatosur në Zubin Potok. Tani për tani nuk ka informacione nëse ka të vrarë apo të plagosur.
Këto burime njoftojnë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke biseduar që të tërhiqen edhe nga pika kufitare në Jarinje, por që kjo tërheqje të bëhet pa pasoja.
***
Forcat kryesore politike në Kosovë kanë mbështetur aksionin e policisë kosovare për të marrë kontrollin në dy pika kufitare në veri të Kosovës. LDK, AAK dhe Vetëvendosja kanë përkrahur aksionet e kërkojnë që qeveria të mos zmbrapset. Edhe veteranët e UÇK janë shprehur në mbështetje të këtij veprimi. Ata thonë se janë gati të ofrojnë ndihmë. Megjithatë tensioni në Kosovë është shumë i lartë. Serbia ka alarmuar BE-në e NATO-n. Një zëdhënës i Aleancës ushtarake tha se ata po negociojnë për të marrë kontrollin mbi situatën. Ai foli për ngrirjen e aksioneve. Ndërkohë një nga shefat e serbëve të veriut, ka kërcënuar forcat e KFOR duke thënë se e gjithë popullsia do dalë në rrugë.
Kurse qeveria shprehet e vendosur për të vijuar aksionin.
Aty tash do të vendosen gradualisht doganierë dhe policë shqiptarë për të zbatuar masën e reciprocitetit për mallrat serbe. Ky ka qenë qëllimi i aksionit, ka thënë një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës, të martën për Express.
***
Forcat speciale të policisë kosovare kanë marrë nën kontroll dy pika kufitare në veriun e dominuar nga serbët, duke tensionuar situatën. Zyrtarët e lartë të BE në Prishtinë kanë kritikuar këtë veprim. Përfaqësuesi special i BE, Fernandon Gentilini tha se veprimi nuk është kryer në konsultim me ndërkombëtarët dhe BE nuk e aprovon.
EULEX kontrollonte deri më tani pikat kufitare. Kryeministri Thaçi thotë se aksionet kanë pasur mbështetjen e KFOR-it. Ndërsa operacioni po vijonte, Thaçi pushoi nga detyra kryepolicin e vendit, Reshat Maliqi.
Serbët në veri janë acaruar dhe kanë bllokuar disa rrugë.
Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, ka mbërritur në veri të Kosovës dhe po negocion me KFOR-in dhe EULEX. Ai ka thënë se do vendoset vetë në ballë të barrikadave.
Kosova vendosi të ndalonte hyrjen e produkteve serbe në Kosovë, por kamionët hynin nga këto dy pika. Tashmë zëvendëskryeministri thotë se ato janë nën kontrollin e plotë të qeverisë për herë të parë.
Mediat kosovare flasin për të paktën katër policë të plagosur, kurse KFOR ka bërë thirrje për qetësi. Mediat e Kosovës thonë se dy helikopterë të KFOR kanë marrë pjesë në aksionin për të marrë nën kontroll pikat kufitare.
