E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi përmbyll fushatën në Drenas

Nga Express më 07 janar 2011 në ora 20:31

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka përmbyllur fushatën treditore në Drenas, duke kërkuar nga qytetarët e kësaj komune që të dëshmojnë pjesëmarrje të lartë në zgjedhje.

Ai ka thënë se kësaj radhë nuk është në pyetje përqindja e votave të PDK-së, por përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje.

Thaçi ka kërkuar nga qytetarët e Drenasit, pjesëmarrja sa më të lartë në zgjedhje dhe votë për Partinë Demokratike e Kosovës, votë kjo, e cila, sipas tij, do të jetë për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

“Dilni dhe votoni në mënyrën më unike të mundshme, dilni dhe nëse ka nevojë prisni gjysmë ore në radhë, sepse ju do të vendosni për Kosovën të dielën. Ju do të prisni gjysmë ore në radhë, por do të vendosni për katër vjetët e ardhshme. Kësaj radhe nuk mjafton vetëm pjesëmarrja në votim, por secili nga ne duhet ta bëjë një argat më tepër për të organizuar familjen, farefisin, komshiun, e në veçanti këtu në Drenas kërkohet një pjesëmarrje më e madhe”, ka thënë ai.

Ajo që është më e rëndësishme në këto zgjedhje, sipas Thaçit, nuk është përqindja e votave të PDK-së, por pjesëmarrja masovike e qytetarëve në zgjedhje.

“Tani nuk shtrohet pyetja se sa për qind do t’i fitojë Partia Demokratike e Kosovës, por shtrohet pyetja se sa për qind e qytetarëve kanë dalë për të votuar. Unë e di se do të dilni masovikisht, ju ftoj të dilni të gjithë”, është shprehur Thaçi.

Kreu i qeverisë në dorëheqje ka falënderuar qytetarët e Drenasit për mbështetjen që i kanë dhënë PDK-së më 12 dhjetor, duke theksuar se duke u bazuar në këtë mbështetje, edhe ka marrë dje vendime për rritjen e pagave në shumë sektorë.

“Mundet të thonë se nuk janë kushtetuese, ligjore dhe janë jo morale, por nuk ka punë dhe vendim më të moralshëm sesa t’i shërbehet qytetarit, nuk ka punë më të mirë, më të ndershme, më të përgjegjshme në kuptimin e obligimit moral, në kuptimin e përgjegjësisë qytetare, kombëtare dhe shtetërore, sesa të mbash fjalën dhe t’u shërbesh gjithë vendit dhe qytetarëve. Ne kemi rritur rrogat, por nuk do të ndalemi me investime kapitale as në autostradë, as në asnjë sferë tjetër të jetës sonë institucionale”, ka theksuar Thaçi.

Thaçi ka rikujtuar se me vendimin e djeshëm për rritjen e pagave, 80 mijë familje në Kosovë do të jenë përfitues të kësaj ngritje të pagave. Ai u ka premtuar qytetarëve të kësaj komune, vazhdimësi të investime, duke thënë se Drenasi e meriton investimin në të gjitha sferat e jetës.

Edhe kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku ka ftuar qytetarët e kësaj komune të marrin pjesë masovikisht në zgjedhje. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›