Haradinaj kundër koalicionit me PDK-në
Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në përmbyllje të fushatës parazgjedhore në Deçan, kanë përjashtuar edhe një herë mundësinë e krijimit të koalicionit qeverisës me PDK-në.
Nënkryetari i kësaj partie Ahmet Isufi kritikoi qeverisjen e deritanishme e cila sipas tij ia ka humbur imazhin Kosovës para botës.
“Këta që e prunë këtë gjendje nuk meritojnë të udhëheqin me Kosovën, sepse para se gjithash duke i shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme duke krijuar krizë në vend po duan të fitojnë për interesa individësh, për interesa grupesh për interesa të atyre që nuk po rimëkëmbin Kosovën, përkundrazi po e shkatërrojnë Kosovën”, ka thënë Isufi.
Duke folur rreth përsëritjes së zgjedhjeve, Isufi konsideron se rivotimi është dashur të mbahet në tërë Kosovën dhe jo vetëm në disa komuna, pasi sipas tij më 12 dhjetor ka pasur vjedhje masive të votave.
“Sistemi i vjedhjes së votës u bë dukuri. Nëse ka pas më herët raste tani kemi vjedhje të votës në nivel Kosovës. Nuk është 40 për qind, por është dashur të rinumërohen 60 për qind, ku specialistët e vjetër të vjedhjes së votës bën atë që të deformohet procesi në tërë Kosovën”, ka thënë Isufi.
Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e kësaj partie Daut Haradinaj ripërsëriti qëndrimin e AAK-së se kjo parti nuk do të bëjë koalicion me PDK-në.
“Një e treta e Kosovës, veriu i Kosovës kontrollohet nga bandat serbe në sy të institucioneve tona dhe bashkësisë ndërkombëtare, dhe sot na ftojnë që t’i bashkohemi një koalicioni me Hashim Thaçin. AAK nuk do të bashkohet pikërisht për ta ndarë veriun e Kosovës, andaj nga Deçani themi se nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverisje, nuk do të jemi pjesë e asnjë kompromisi që do të shkojë në dëm të Kosovës. Historia do ta mallkojë këtë qeveri, historia do ta mallkojë atë që donë të çojnë dorë mbi vendin tonë, mbi tokat tona, sepse çdo pëllëmbë e Kosovës është e larë me gjakun e djemve tanë”, ka thënë Haradinaj.
Rivotimi i së dielës në pesë komuna të Kosovës bëhet pas konstatimit për parregullsi në zgjedhjet e 12 dhjetorit, nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Pos Deçanit, rivotim të plotë do të ketë edhe në Skenderaj dhe Drenas, ndërsa rivotim të pjesshëm do të ketë në Malishevë dhe Lipjan. (Kosovapress)