E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP: Shqiptarët shpenzojnë 1.4 milionë dollarë në ditë për cigare



Shqiptarët po harxhojnë miliona dollarë për të tymosur cigare. Sipas një përllogaritje të bërë nga Institutit i Shëndetit Publik, të gjithë shqiptarët së bashku shpenzojnë në ditë 1.4 milionë dollarë. Shifra është bërë e ditur dje, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Pirjes së Duhanit, ku specialistët e shëndetësisë kanë shpjeguar disa të dhëna lidhur me duhapirjen në vend. Numri i femrave që tymosin cigare në endin tonë është rritur ndjeshëm nga viti në vit. Shqetësimi ngrihet nga specialistët e shëndetësisë, të cilët, këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, në Ditën Botërore të Luftës Kundër Pirjes së Duhanit, mesazhin ua kanë përcjellë më së shumti femrave. Ka një tendencë gjithnjë e në rritje të tymosjes së cigareve nga femrat. Ndërsa në Europë femrat duhanpirëse zënë rreth 21%, në Shqipëri ato shënojnë rreth 18%. Por një risi tjetër është se ka ndryshuar dhe grupmosha e atyre që pinë duhan. Tashmë kemi një rritje të konsumuesve që në klasën e 7-të apo të 8-të. Megjithëse ende kemi në fuqi një ligj kundër pirjes së duhanit, sërish në Shqipëri ai nuk po gjen zbatim. Një nga arsyet e dështimit të zbatimit të këtij ligji është pushteti vendor, i cili nuk ka vjel gjobat. Në vendin tonë nga 895 mijë duhanpirës më shumë se 265 mijë janë femra. Një duhanpirës konsumon mesatarisht 19.7 cigare në ditë. Duke marrë shkas nga situata e krijuar dhe numrin në rritje të duhanpirësve në vend, qeveria po bën një tjetër përpjekje për të zbatuar Ligjin Antiduhan. Një ligj i ri, i sapomiratuar, i jep të drejtë Ministrisë së Financës të vjelë direkt gjobën e vënë lokaleve apo mjediseve të tjera nëse lejojnë pirjen e duhanit.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›