E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, mbahet sot provimi i Gjuhë-Letërsisë, 37 500 maturantë në testim

Shpallet pasdite skema e vlerësimit të testit, rezultatet dalin brenda 15 ditëve

Jonida Tashi

Nisin sot zyrtarisht ethet e maturantëve për provimet e Maturës Shtetërore 2010. Plot 37 500 maturantë nga i gjithë vendi do t’i nënshtrohen sot provimit të parë më detyrim të Maturës, që është ai i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë. Duke filluar që nga ora 10.00 e paradites së sotme, maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për t’iu përgjigjur 25 kërkesave që do ketë testi për secilin prej tyre. Sipas Ministrisë së Arsimit, testi, për secilin nga provimet e detyruara të Maturës, do të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat, 13 janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 37 pikë. Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe sa do të jetë përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) për shkollat profesionale dhe social kulturore. Kështu, në shkollat profesionale Letërsia do të vlerësohet me 15%, kurse Matematika me 25%. Në shkollat social kulturore: Letërsia dhe Gjuha shqipe, 25%, Matematika, 15%. Në shkollat pedagogjike: Letërsia dhe Gjuha shqipe, 20%, Matematika, 20%.
Qendrat e vlerësimit
Pas zhvillimit të çdo provimi të Maturës Shtetërore 2010, testet e nxënësve do të dërgohen nën masa të rrepta sigurie në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”, Tiranë. Pas grumbullimit në këtë qendër, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), do të kryejë inventarizimin dhe shpërndarjen e tyre në qendrat e vlerësimit në rrethe. Kështu, edhe këtë vit, sikurse ai i kaluari, vlerësimi i testeve të nxënësve në provimet e Maturës do të bëhet në katër qendra. Përkatësisht katër qendrat do të jenë: në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”; në Elbasan, në godinën e shkollës “Qemal Stafa”; në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja”; në Fier, në godinën e shkollës “Naim Frashëri”. Pas çdo provimi të Maturës, në secilën nga katër qendrat e vlerësimit, do të funksionojë në mënyrë permanente një grup i administrimit dhe monitorimit të testeve me përbërje si më poshtë: një përfaqësues i AVA-s; një përfaqësues i MASH-it; një përfaqësues i DAR-së përkatëse. Transporti i testeve të nxënësve nga Tirana për në secilën nga qendrat e vlerësimit Elbasan, Shkodër, Fier dhe anasjelltas, do të bëhet me automjete të drejtorive arsimore rajonale përkatëse, nga grupi i administratorëve, nën masa të rrepta sigurie.
Procedura e vlerësimit
Skema e vlerësimit të testeve të maturantëve është një standard vlerësues i njëjtë për çdo kandidat. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga maturanti për kërkesën përkatëse, do të mbështetet në skemën e vlerësimit, të përgatitur nga hartuesit e testeve. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje do të bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë. Ndërkaq, pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA do të shpallë skemën e vlerësimit të testit. Testet e provimit të Maturës do të vlerësohen nga vlerësues të jashtëm. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit. Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson dhe mban përgjegjësi për vlerësimin. Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve, grupi i hartimit të testeve të AVA-s ritrajnon vlerësuesit e testeve, për testin e përdorur në provim. Çdo pyetje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, të pavarur nga njëri-tjetri. Vlerësuesit, pasi marrin në dorëzim testet, konfirmojnë saktësinë e tyre dhe bëjnë kodifikimin me numra arabë, pavarësisht nga barkodi dhe pa e dëmtuar atë. Vlerësuesit mund të bëjnë shënime në test, por vlerësimet për çdo pyetje i pasqyrojnë në formularët përkatës. Rakordimi i vlerësimeve bëhet, pas korrigjimit të çdo 40 testeve. Në rastet kur ka mospërputhje midis dy vlerësuesve, përgjegjësi i vlerësimit, aktivizon një vlerësues të tretë për të bërë, motivuar dhe argumentuar vlerësimin përfundimtar. Përgjegjësi i vlerësimit firmos në tabelën e vlerësimit të testit së bashku me vlerësuesin e tretë. Ministria e Arsimit ngre komisione të posaçme (KOPOTED), që shqyrtojnë rast pas rasti të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve dhe me parregullsi. Shpallja e rezultateve do të bëhet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, pas çdo provimi të Maturës.

Përjashtimi nga provimi dhe mosnjohja e rezultatit
Ditën e provimit maturanti përjashtohet dhe nuk i njihet rezultati i provimit në qoftë se:
Maturanti përjashtohet nga provimi, në qoftë se thyen rregullat e provimit.
Nuk është i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk qëndron në vendin që i caktohet.
Përpiqet të japë provimin për një maturant tjetër.
Merr ose jep informacion, kopje ose komunikon me maturant/kandidatë të tjerë.
Bën komente lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit.
Merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve.
Maturanti përjashtohet nga provimi në qoftë se nuk zbaton rregullat e përcaktuara më sipër.
Mosnjohja e rezultatit të provimit:
Përdor laps në plotësimin e testit.
Largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit dhe dorëzon testin pa u vendosur/dëmtuar barkodi.
Heq, shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test.
Dëmton testin (palos, zhubros, gris, vendos shenja të dallueshme dhe të veçanta) ose nuk e dorëzon atë.
Në rast se maturanti refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›