Thaçi prezantoi “Kosovën e Re” para investitorëve

Kryeministri Thaçi prezantoi projektin “Kosova e Re”, para dhjetëra kompanive të mëdha botërore në Kosovë. Në konferencë po marrin pjesë mbi 50 kompani të mëdha nga katër anët e botës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht, jemi shumë të interesuar dhe të vendosur që të punojmë intensivisht për të finalizuar me sukses procesin që do të mundësojë pjesëmarrjen tuaj në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ndihem tepër mirë që kjo konferencë po mbahet në kohën kur procesi i privatizimit të distribuimit është në rrugë shumë të mbarë, kur qeveria vendosi edhe për fillimin e projektit madhor për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, autostradën Vërmicë – Prishtinë – Merdare. Kjo autostradë ka vlerën, jo vetëm për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, por edhe si korridor evropian për Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, Qeveria ka bërë investime kolosale në sistemin e transmisionit energjetik, që do t’ju mundësojë kompanisë fituese shkëmbim të lirshëm të prodhimit dhe importit të energjisë që kjo kompani do ta prodhojë.
“Qeveria është në fazën e finalizimit të procesit të koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës dhe fillimin e mbarë të procesit të angazhimeve tjera madhore të projekteve për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pra, për Republikën e Kosovës, për qeverinë që udhëheq unë, është një vit i vendimeve madhore për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi.
Sipas Thaçit, ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike nga linjiti është jetik për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm në sektorin energjetik të Kosovës.
“Më 17 dhjetor 2009, Qeveria e Kosovës mbështeti Komitetit Drejtues të projektit “Kosova e Re”, me nevojën për rikonfigurimin e projektit që ofrohet për investime private. Ne si Qeveri e miratuam përmbajtjen e rikonfiguruar të projektit dhe i kërkuam ministrisë së Energjisë dhe Minierave të drejtojë procesin ashtu që brenda vitit 2010 të kemi arritur mbylljen financiare me konzorciumin apo kompaninë fituese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Pra, jemi të vendosur të respektojmë plotësisht agjendën e paraparë që ky proces të finalizohet brenda këtij viti apo deri në vjeshtë të këtij viti”, tha ai.
Thaçi ka siguruar të pranishmit se të gjithë hapat për këtë projekt madhor do të jenë në përputhje me qasjen evropiane për energji dhe mjedis, sepse qëllimi final i Qeverisë është integrimi në Bashkimin Evropian, që kërkon edhe respektimin e plotë të të gjitha rregullave, rregullativës së Bashkimit Evropian, sa i përket energjisë dhe konkurrencës.
“Qëllimi ynë është të furnizojmë plotësisht me sasinë dhe cilësinë e duhur konsumatorët dhe ekonominë e Kosovës me energji elektrike. Ne do t’ju ofrojmë investitorit privat mundësinë që ai të prodhojë edhe për eksport dhe në kohën e duhur do të marrim qëndrime dhe vendime të përshtatshme, gjithnjë në konsultim me investitorin fitues, për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re””, pohoi ai.
“Ju ftoj që të shprehni interesin tuaj për pjesëmarrje në projektin “Kosova e Re” dhe ju siguroj se nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, Qeverisë që udhëheq unë, do të gjeni angazhimin maksimal për të arritur një partneritet të qëndrueshëm, të suksesshëm dhe përfitimin e dëshiruar nga të dyja palët, pra nga investitori privat dhe nga shteti i Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht, ju garantojmë se procesi do të jetë i pastër, i hapur, legal dhe transparent”, përfundoi Kryeministri Thaçi.
Konferenca, e cila ka filluar punimet sot, do të vazhdojë edhe të enjten.