Arsimi, hiqet TVSH-ja për privatët
Hiqet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për arsimin privat. Në vitin e ri akademik, që do të nisë në tetor të këtij viti, nuk do të aplikohet TVSH-ja. Projektligji me propozimet mbi ndryshimet në ligjin mbi TVSH-në është miratuar dje nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë. Një ndër pikat kyçe të këtyre ndryshime në këtë ligj ka qenë dhe kërkesa e kahershme arsimit privat, ku shkollat tetëvjeçare, të mesme dhe universitet private i janë drejtuar qeverisë për të bërë këtë ndryshim me heqjen e TVSH-së.
Heqja e TVSH-së për arsimin privat pritet që të ketë efektin pozitiv edhe tek nxënësit dhe studentët që kanë vendosur të arsimohen tek privati, duke ulur edhe tarifat e shkollimit. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje projektligjin për heqjen e Taksës mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për arsimin privat. Ky vendim është marrë dje vetëm nga votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita vazhdon të qëndrojë jashtë Parlamentit për rrjedhojë edhe jashtë komisioneve parlamentare, duke munguar kështu edhe oponenca e tyre në ligje të rëndësishme. Kryeministri Sali Berisha kaherë ka paralajmëruar dhe ka kërkuar heqjen e TVSH-së për arsimin privat, duke kërkuar të lehtësojë këtë degë të arsimit si një mundësi alternative për shumë nxënës dhe studentë. Ndryshimet në këtë projektligj u kërkuan nga Kryeministri Berisha vitin e shkuar, ndërkohë që me këtë vendim të komisionit, i hapet rrugë miratimit nga ana e Parlamentit. Në bazë të vendimit, duke filluar nga 1 tetori i këtij viti, arsimi privat do të përjashtohet nga kjo taksë. Në ndryshmet e tjera që iu bënë këtij projektligji, bizneset nuk do të bëjnë më çregjistrim, nëse janë të përfshirë në skemën e TVSH-së. Ndërkohë, ndryshimet në ligjin për TVSH-në tashmë do t’i japin kompetencë qeverisë për të vendosur për kufirin, për kalimin e bizneseve në biznese të mëdha. Një nga anëtarët e Komisionit të Ekonomisë, Florin Mima, dikur ish-zëvendësministër i Financave ka shpjeguar rëndësinë këtij ndryshimi për biznesin. Sipas Mimës, askush nuk mund të dalë nga skema e TVSH-së nëse është përfshirë në të. “Ky ndryshim ka rëndësi. Më parë kishim tatimpagues që një herë hynin në rrjetin e TVSH-së dhe vitin tjetër nëse qarkullimi binte nën këtë kufij kishte të drejtë të çregjistrohej. Kjo gjë ka krijuar shumë anomali në praktikë dhe besoj se ky ndryshim, kjo qasje evropiane i jep fund një herë e mirë këtij problemi. Tani nëse hyn një herë, kurrë s’mund të dalësh. Pra, nëse një subjekt hyn një herë në TVSH, mund të dalë vetëm nëse do të shuhet si subjekt, vetëm atëherë mund të kërkojë të çregjistrohet”.