E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Menaxhimi i mirë i Drinit mund të ndihmojë të gjithë Ballkanin

Raporti
Tre hidrocentralet shqiptare sjellin rritje të eficiencës së energjisë në rajon

Hidrocentralet mbi lumin Drin dhe kapaciteti i tyre i konsiderueshëm magazinues i energjisë elektrike, mund të ndihmojnë në të ardhmen në përmirësimin e eficiencës së energjisë në të gjithë rajonin e Ballkanit, sipas një analize të kryer nga një studim për sigurinë e digave, i financuar nga Banka Botërore.
“Më e rëndësishmja për tregun rajonal të energjisë elektrike është kapaciteti i konsiderueshëm magazinues i hidrocentraleve shqiptare, të cilat mund të japin përfitime të konsiderueshme për rrjetin elektrike të Europës Juglindore”, thuhet në raport. “Kapaciteti magazinues i energjisë në këto diga mund të nxisë eficiencën energjetike në tregun rajonal (duke plotësuar kapacitetet ekzistuese në termocentrale) dhe do të jenë të nevojshme për ndërtimin në rajon të burimeve të tjera të energjisë së rinovueshme si energjia e erës, e cila për nga natyra është e paqëndrueshme dhe ka nevojë për mjete magazinuese të energjisë për t’u lidhur në mënyrë eficiente me rrjetin e për të pasur leverdisshmëri ekonomike”, thotë më tej raporti.
Studimi nxjerr në pah se kapaciteti rezervues i energjisë elektrike në Drin mund të rritet në rast se vendosen stacione pompimi, por asnjë studim nuk është kryer ende në këtë drejtim, për të parë nëse një investim i tillë është i leverdisshëm.
Pompa për të kthyer ujin në liqen
Studiuesit sugjerojnë që të analizohet mundësia e përdorimit të hidrocentraleve mbi Drin, për të vendosur pompa që e marrin ujin e përdorur nga derdhja e poshtme e digës dhe për ta kthyer në liqen. Projekte të tilla janë zbatuar me sukses në të gjithë Europën. Uji i përdorur një herë për prodhimin e energjisë gjatë ditës, kur çmimi është i lartë, thithet me pompa gjatë natës. Pompat funksionojnë me energji të prodhuar nga termocentralet, e cila gjatë natës ka çmim deri pesë herë më të lirë se sa energjia që shitet në orar pik.
Pse nuk bëhet
Shqipëria ka 1450 megavat fuqi të instaluar në hidrocentralet në Drin dhe Mat, të cilat janë ndërtuar me synimin për të furnizuar vendin me energji gjatë të gjithë vitit dhe për të eksportuar vetëm tepricën. Tani ekspertët mendojnë se këto kapacitete mund të përdoren me rendiment teknik dhe ekonomik shumë më të lartë. Por para se të arrijë në këtë pikë, Shqipëria do të duhet të shtojë kapacitetet importuese dhe eksportuese të energjisë elektrike. Propozimi i ekspertëve është që energjia në Drin të shitet në tregun rajonal, gjatë orareve të konsumit pik, kur çmimi është i lartë, ndërsa Shqipëria mund të importojë energjinë për konsumin e vet bazë me çmim më të ulët. Një skemë e tillë kërkon jo vetëm ndërtimin e linjave të reja të interkonjeksionit nga ana e Shqipërisë, por edhe liberalizimin e të gjithë tregut rajonal. Por sot për sot, shumica e vendeve të rajonit nuk janë të gatshme të liberalizojnë tregjet e tyre, gjë që e bën të pamundshme funksionimin e kësaj skeme.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›