Thaçi serbëve: Të ulemi e bisedojmë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar sot serbëve në veri duke u kërkuar atyre që të ulen në bisedime. Përmes një letre, kreu i qeverisë kosovare thekson se sipas Kushtetutë duhet të komunikoj me qytetarët serbë në veri të vendit por jo me kriminelë.
"Është obligim imi kushtetues dhe ligjor, por edhe obligim imi qytetar si kryeministër i Kosovës të komunikoj me të gjithë qytetarët e vendit pa dallime etnike, të sqarojmë proceset nëpër të cilat po kalojmë, të orientohen nga Prishtina dhe të largohen nga mashtrimi 12 vjeçar, që i ka bërë Beogradi atyre qytetarëve. Sepse, duam të ndryshojmë jetën e tyre, për të mirë siç kemi bërë ndryshime edhe në vendet tjera, ku kanë jetuar me shumicë serbët, në Shtërpcë, Graçanicë, ku sot kemi një bashkëpunim si institucione të Republikës së Kosovës me autoritete lokale që akceptojnë institucionet e dala nga vota e qytetarit" ka thënë Thaçi .
Më tej Kryeministri ka shtuar se komunikimi është rruga e vetme për fillimin e zgjidhjeve të problemeve të grumbulluara prej 12 vjetësh, por në asnjë rrethanë nuk do të ketë diskutime me strukturat ilegale dhe kriminale sepse ato do të përballen me drejtësinë.