Prishtinë, institucionet dënojnë dëmtimin e varrezave hebraike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka dënuar fuqishëm dëmtimin e varrezave hebraike në Prishtinë, duke e cilësuar si një akt në kundërshtim të plotë me traditat e vlerat e popullit të Kosovës, të mbështetura në tolerancë dhe respekt të plotë për të gjithë të vdekurit dhe të gjitha monumentet.
Presidentja vlerësoi se ky akt i dëmtimit të varrezave të hebrenjve, ndaj të cilave qytetarët dhe institucionet e Kosovës kanë treguar përkujdesje të veçantë, është në kundërshtim edhe me qëndrimin e popullit shqiptar, i cili, edhe në periudhat më të rënda, u ka dalë në mbrojtje hebrenjve.
Presidentja e Republikës u bën thirrje mekanizmave të sigurisë që të kapin autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t`i nxjerrin ata përpara drejtësisë.
Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh indinjatën e thellë për aktin vandal të përdhosjes së varrezave hebraike në Prishtinë.
“Ky sulm qyqar është një sulm kundër shtetit të Kosovës, dhe mbi të gjitha është një sulm kundër vlerave të traditës së qytetarëve të Kosovës për tolerancë, bashkëjetesë dhe respekt, që e kemi kultivuar gjatë gjithë historisë sonë”, shprehet kryeministri Thaçi.
Ai tha se këto akte të ulëta janë të papranueshme për Qeverinë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë.
“Ju bëj thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat që kryesit e këtij akti të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha Thaçi.
Ndërkaq, Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, shprehet se me të marrë lajmin për dëmtimin e varrezave hebraike në Prishtinë, delegacioni i Shoqatës i ka vizituar ato menjëherë. “Kemi parë nga afër dëmtimet vandale që u ishin bërë, duke u vizatuar shenjën naziste, svastikën dhe shkrimin ‘JUD RAUS’”, thuhet në kumtesën e kësaj shoqate.
“Këto akte janë të papranueshme për cilindo qytetar, e sidomos kur bëhet fjalë për një komunitet që ka jetuar në mënyrë vëllazërore me të gjitha komunitetet e pranishme në Kosovë. Andaj, edhepse ky komunitet nuk jeton më në Prishtinë, në atë masë si dikur, trashëgimia që kanë lënë është e pazëvendësueshme dhe një thesar që duhet ruajtur me shumë kujdes”, vlerëson Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael.