E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi vazhdon vizitën në Stamboll

Nga Express më 15 mars 2011 në ora 12:12

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovë, Hashim Thaçi, do ta vazhdojë edhe sot vizitën në Stamboll ku para pjesëmarrësve të Samitit Botëror të Liderëve të Ndryshimeve, do të paraqitet me një fjalım.

Kjo është hera e parë që kryeministri Thaçi merr pjesë në këtë samit.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri ka takuar liderë të ndryshëm botëror, ndërsa një takım me dyer të mbyllura e ka zhvilluar edhe me kryeministrin turk Rexhep Taıp Erdogan nga i cili ka marrë mbështetje të plotë për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Në një intervistë për RTK-në kryeministri Thaçi tha se janë duke shikuar mundësinë e një roli aktiv të Turqisë në bisedimet më Serbinë.

Mbështetje nga Ankaraja

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar të hënën homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin kanë biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe për ndihmën e mëtutjeshme që Turqia premton se do ta bëjë për Republikën e Kosovës.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në takimin mes dy kryeministrave është diskutuar për aktualitetin politik dhe ekonomik në rajon, me theks të veçantë për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë në të gjitha aspektet, që janë në interes të të dyja vendeve.

Kryeministri turk ka përgëzuar kryeministrin Thaçi për krijimin e institucioneve të reja legjitime dhe kredibile të Kosovës dhe ka premtuar angazhimin e Turqisë për të siguruar njohje të reja për shtetin e Kosovës.
“Në takim, kryeministri Thaçi ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që i ka dhënë Turqia Kosovës në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe atë të zhvillimit dhe integrimit, duke potencuar në veçanti mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në aspektin e njohjeve për shtetin e Kosovës dhe investimet turke në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Hashim Thaçi në takim ka njohur kryeministrin Erdogan me angazhimin e Qeverisë së Kosovës për dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, si dhe për përcaktimin e fuqishëm për perspektivën europiane të Kosovës.

Edhe kryeministri turk, Erdogan ka shprehur mbështetjen e tij për dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ka shprehur qëndrimin se kjo është rruga e të dyja vendeve për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Duke folur për përkushtimet e kabinetit të ri qeveritar, kryeministri Thaçi mes tjerash ka theksuar se “Republika e Kosovës mirëpret përfshirjen e Turqisë në aktivitetet e forcimit të bashkëpunimit rajonal në Ballkan dhe e konsideron atë një partner strategjik të Kosovës”.

Gjatë ditës së hënë, Thaçi ka zhvilluar një takim tjetër me Bakir Izetbegoviqin, anëtar i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës.

Është biseduar për zhvillimet aktuale politike në rajon, për domosdonë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në interes të perspektivës europiane të rajonit dhe për çështje të tjera.

Gjatë takimit, u shtrua nevoja e tejkalimit të barrierave, të cilat janë duke penguar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në mes të dy vendeve.

Të martën, Thaçi do të flasë në Samitin Botëror të Liderëve të Ndryshimeve.

Serbia bojkoton Samitin në SHBA

Serbia bojkoton konferencën SHBA-Ballkan për shkak të Kosovës.

Qeveria federale e shtetit Meriland, në emër të administratës së SHBA-së do të organizojë më 23 dhe 24 mars në Baltimor, një samit të liderëve politikë dhe afaristëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas paralajmërimeve të organizatorëve, në këtë konferencë të parë të këtij lloji, do të marrin pjesë të gjithë liderët e ftuar të rajonit – kryeministri Boris Pahor nga Sllovenia, presidenti Ivo Josipovic dhe kryeministrja Jadranka Kosor nga Kroacia, Bakir Izetbegovic nga Bosnja e Hercegovina, presidenti Filip Vujanovic nga Mali i Zi, kryeministri Nikola Gruevski nga Maqedonia, presidenti shqiptar, Bamir Topi, ndërsa nga Kosova do të jetë kryeministri Hashim Thaçi.

Por, në Baltimor nuk do të jenë krerët serbë – presidenti Boris Tadic dhe kryeministri Miroslav Cvetkovic, ndërsa nuk është e sigurt nëse do të marrin pjesë edhe biznesmenë nga Serbia.

Nikoqirët amerikanë janë të dëshpëruar nga Beogradi zyrtar, ngase në praktikë autoritetet serbe në kohën e fundit, ku do që ka takime të tilla ndërkombëtare, po bojkotohen për shkak se në Samit Kosova do të trajtohet si shtet.

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Thomas Countryman ka thënë se është porosi e gabuar që Beogradi e dërgon me bojkotin e konferencës së liderëve politikë dhe afaristëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor me partnerët potencialë nga SHBA-ja për shkak të pranisë së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›