E Shtunë, 31 Tetor 2026

The Game dhe Eklips, bashkë në Prishtinë

Një rap këngëtar dhe një beatboxer do të takohen në Prishtinë. Njëri vjen nga SHBA-të e tjetri nga Franca. Për adhuruesit e tyre, The Game dhe Eklips do të performojnë për më shumë se një orë në sallën Një tetori në Prishtinë. Atmosferën do ta nxehin edhe këngëtarët vendorë DJ Flow dhe Kaos.

Ata që mund të kenë ende dyshime lidhur me ardhjen e rap këngëtarit amerikan The Game në Prishtinë, mjafton vetëm ta vizitojnë websajtin e tij dhe do të shohin se më 3 dhjetor ai do të aterojë në aeroportin e Prishtinës, ku në të njëjtën ditë do të mbajë koncert në sallën Një tetori në Prishtinë.

Në Prishtinë, The Game do të vijë nga Berlini, ku do të ketë koncert një ditë më parë, ndërsa sapo ta përfundojë koncertin për adhuruesit shqiptarë, reperi amerikan do të marrë rrugën drejt Francës, për të mbajtur koncert në Toulouse më katër dhjetor. Pothuajse i tërë dhjetori në agjendën e këngëtarit është i mbushur me koncerte të njëpasnjëshme. Prej sot, më 22 nëntor, ku do të mbajë koncert në Glasgow, e deri më 22 dhjetor, kur do të paraqitet para adhuruesve norvegjezë, The Game do të ketë koncerte në vende të ndryshme europiane për të promovuar albumin e tij të ri ‘The R.E.D.’. Koncerti i tij në Prishtinë do të ketë një përjashtim, pasi që Prishtina do të jetë i vetmi kryeqytet në regjion që do ta presë reperin e njohur.

“The Game është në turne nëpër botë për promovimin e albumit të tij ‘The R.E.D.’. Në Prishtinë ai do të vijë nga Gjermania ku do të ketë koncert më 2 dhjetor. E veçanta është se në krejt regjionin e Ballkanit ai nuk do të mbajë koncert në asnjë vend tjetër përpos në Kosovë”, u shpreh, në një konferencë për media, që u mbajt në hotel Nartel në Prishtinë, Alba Morina, zëdhënëse e kompanisë Powow Entertainment, kompani kjo që e organizon koncertin.

Por, The Game nuk do të jetë i vetmi që do të performojë në këtë koncert. Krahas tij, të rinjtë e Prishtinës por edhe të qyteteve të tjera do të kenë mundësinë të argëtohen edhe me beat’at e njërit prej beatboxer’ave më të njohur në botë.

“Në këtë koncert do të marrë pjesë gjithashtu edhe një beatboxer me famë botërore, i cili vjen prej Francës. Është një prej njerëzve që ka fituar më së shumti shpërblime për beatbox, ai është Eklips”, tha Morina.

Prej paragrupeve që do të performojnë janë DJ Flow dhe Kaos.

Morina tregoi gjithashtu se tashmë biletat kanë dalë në shitje nëpër pika të ndryshme. Sipas saj, do të jenë dy lloje të biletave.

“Janë biletat VIP dhe biletat e thjeshta. Bileta VIP do të kushtojë 20 euro, ndërsa ajo e thjeshtë do të jetë 12 euro. Pikat e shitjes janë nëpër qendrat më të mëdha në Kosovë, në Prishtinë do të jenë disa pika të shitjes, mbasi është kryeqendër, ndërsa nëpër qytetet tjera do të jenë nga një pikë e shitjes”, tregoi Morina, duke theksuar se është e pamundur që biletat të falsifikohen për shkak se këto e kanë një kod, i cili nuk mund të kopjohet dhe po ashtu tregoi se biletat nuk janë të shtypura në Kosovë.

E për numrin e biletave, ajo theksoi se katër mijë bileta do të jenë në shitje. Tre mijë të thjeshta dhe një mijë VIP. Ndërsa lidhur me kohëzgjatjen e koncertit, ajo tha se The Game do të performojë rreth 45 deri në 60 minuta, varësisht prej atmosferës që do të bëhet në sallë.

Morina tregoi edhe për profilin e kompanisë Powow Entertainment, e cila është një kompani e re, që nuk do të merret vetëm me organizim të koncerteve por edhe me veprimtari të tjera.

“Kompania Powow Entertainment është një kompani e re. Kjo është ngjarja e parë që po e organizojnë. Nuk merret vetëm me organizimin e koncerteve. Ka edhe organizime të tjera. Mund të ju tregoj se jemi ne negociata me ble një klub shumë të famshëm të Basketbollit në Kosovë, por për këtë do të ketë informata më vonë”, tha Morina. Për detaje të tjera, ajo tha se do të informojnë gjatë ditëve në vijim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›