E Diel, 1 Nëntor 2026

The Guardian: Marrëveshja për klimën, ujdi për keqardhje

Arritja e një marrëveshjeje në Durban të Afrikës ishte në vetvete një sukses. Por a është ky pakt i mjaftueshëm për mbrojtjen e klimës, pyesin ekspertët.

Disa e quajnë një ujdi për të ardhur keq. Një garanci, shkruan “The Guardian”, se për fëmijët tanë do të jetë më keq nga sa ishte për ne.

Edhe një herë tjetër u bë e qartë se botës i mungon vullneti politik për t’u përballur seriozisht me çështjen nevralgjike të ndryshimit të klimës. Shumë vende ngurrojnë të hidhen në veprim, e mes tyre renditen Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Kanadaja dhe India.

Nëse brezat e ardhshëm do të hedhin një vështrim prapa, e të shohin çfarë ndodhi realisht në Durban, do të mendojnë: nuk është arritur asgjë. Arsyet janë disa.

Së pari, siç paralajmërojnë ekspertët, nëse lëshimi i gazeve shkaktare të efektit serë nuk frenohen shpejt, ngrohja e tokës do të mbërrijë në një fazë të rrezikshme.

Nga ana tjetër është çështja se a ekziston përkushtimi për të prodhuar energji nga burime që e ruajnë klimën.

I treti vjen problemi ekonomik. Specialistët paralajmërojnë se dëmet nga ndryshimi i klimës do të jenë shumë më të shtrenjta, se sa riorientimi në ndonjë prej burimeve tjera.

Deri tani janë ndërmarrë vërtet disa veprime për zbutjen e ngrohjes globale, por ato janë shumë pak dhe shumë të ngadalta, shkruan gazeta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›