âThe Guardianâ: Thaçi, një bos i mafies
Gazeta britanike “The Guardian” ka botuar pjesë të një raporti të Këshillit të Europës mbi krimin e organizuar, në të cilin thuhet se “Kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptar të “tipit–mafia”, përgjegjës për kontrabandimin e armëve, drogës dhe organeve njerëzore”. Sipas raportit, “Hashim Thaçi është identifikuar si ‘bosi’ i një rrjeti që filloi operimin me rrjet kriminal pas luftës së Kosovës dhe mbajti ndikimin e tij të fuqishëm mbi qeverisjen e vendit që nga ajo kohë”. Raporti i hetimeve dyvjeçare, që citon FBI-në dhe shërbimet e tjera të fshehta, është siguruar nga “The Guardian”. Raporti thuhet se përmend Thaçin si një njeri që në dekadën e fundit ka ushtruar “kontroll të dhunshëm” mbi tregun e heroinës. Figurat nga rrethi i afërt i Thaçit, shkruan gazeta, janë akuzuar se pas luftës, “në mënyrë të fshehtë kanë dërguar të burgosur përtej kufirit me Shqipërinë, ku disa serbë thuhet se janë vrarë për shkak të veshkave të tyre, të cilat janë shitur në tregun e zi”.
Hetuesi për të drejtat e njeriut, Dik Marti, i cili ka hulumtuar rastin, do ta paraqesë raportin para diplomatëve europianë të 47 vendeve anëtare në një takim që mbahet në Paris këtë të enjte. Raporti sugjeron se “lidhjet e Thaçit me krimin e organizuar datojnë që më shumë se një dekadë, kur ata që ishin luajalë ndaj grupit të tij të Drenicës, u bënë fraksion dominues brenda UÇK-së”, transmeton “The Guardian”. Në raport thuhet se epërsia e grupit ndaj grupeve të tjera më të vogla në lëvizjen guerile mundësoi që nga viti 1998, grupi i Drenicës të marrë kontrollin ndaj “ndërmarrjeve më të paligjshme kriminale” në të cilat ishin të përfshirë kosovarët në Jug të kufirit në Shqipëri.
Ndërsa kritikoheshin masakrat serbe, Marti thotë se komuniteti ndërkombëtar zgjodhi, që të injorojë dyshimet për krime lufte të kryera nga UÇK-ja, “duke vendosur në vend të kësaj çmimin e arritjes së një lloj stabiliteti afatshkurtër”, transmeton në vazhdim “The Guardian”. Ai përfundon se gjatë luftës së Kosovës dhe pothuaj një vit pas, forcat e Thaçit u hakmorën ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve që akuzoheshin se kishin “bashkëpunuar” me armikun. “The Guardian” shkruan se Thaçi dhe katër anëtarë të tjerë të grupit të Drenicës përmenden në raport se kanë kryer “vrasje, burgime, rrahje dhe frikësime”. Gjithnjë sipas “The Guardian”, ky fraksion i ashpër i UÇK-së ka pasur fuqi të konsiderueshme në qeverinë e Kosovës, në dekadën e fundit edhe me mbështetjen e fuqive perëndimore, që donin të siguronin stabilitet në shtetin e sapolindur. Duke cituar raportin e Dik Martit, gazeta “The Guardian” shkruan se “ish-komandantët e UÇK-së kanë luajtur rol thelbësor në aktivitetet kriminale në dekadën e fundit”. “Në raportet konfidenciale që kanë qarkulluar për më shumë se një dekadë kushtuar luftës ndaj kontrabandimit me drogë, të paktën pesë shtete e kanë përmendur Hashim Thaçin dhe anëtarët e tjerë të grupit të Drenicës se kanë ushtruar kontroll të dhunshëm mbi tregun e heroinës dhe narkotikëve të tjerë”, citon “The Guardian” raportin e përpiluar nga Dik Marti.