Mbërrijnë 171 ankesa në gjykatën zgjedhore
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka nisur shqyrtimin e 171 ankesave që i kanë arritur nga subjektet politike, të cilat pretendojnë se ka pasur parregullsi në procesin zgjedhor. Kreu i këtij paneli, Shukri Sulejmani thotë se nga ajo që ka parë deri më tani, disa prej ankesave janë mjaft serioze. Kreu i PZAK-së nuk dëshiron të flasë se deri në çfarë shkalle janë serioze këto ankesa dhe nëse për ato paneli do të marrë vendim për anulimin dhe përsëritjen e votimeve në ndonjë lokalitet. Sipas Shukri Sulejmanit, sot nuk do të merret asnjë vendim, pasi paneli pret afatin prej 72 orësh, pra deri të enjten në orën 19:00, për të publikuar të gjitha vendimet. Në rast se subjektet politike nuk do të pajtohen me vendimet e Panelit Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa, ato mund të ankohen në shkallën e dytë, në Gjykatën Supreme, e cila po ashtu ka afat 72 orë kohë për të marrë vendim.