The Indipendent: Durrësi në listën e 50 plazheve më të mira
Krahas plazheve të njohura në vende si Italia, Spanja, Franca e Britania, edhe Durrësi radhitet në një ndër plazhet i cili këshillohet për tu frekuentuar. Në faqen e gazetës britanike The Independent, Shqipëria, veçanërisht plazhi i Durrësit, radhitet në mesin e 50 plazheve që ia vlen të kalohen pushimet.
Ju jeni ngopur me turmat? Me një fluturim nga Gatewick në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza në Shqipëri, merrni një taksi për në bregdet.
Kështu këshillon kjo faqe për të gjithë turistët e huaj të cilët kërkojnë një destinacion që të kalojnë pushimet në këtë sezon veror.
Durrësi është një nga vendet kryesore turistike që nuk duhet harruar, ka mjaft hotele të arsyeshme duke ofruar vlera të mira me një diferencë mjaft të vogël nga ato çfarë ofrohet nga kompanitë italiane. Ata që janë tifozë resortesh dhe kërkojnë të kalojnë ditë të paharrueshme, mund të gëzohen duke qëndruar në hotelet e shumta, shkruan The Independent.
Nuk është hera e parë që mediet e huaja e cilësojnë Shqipërinë si një nga vendet e bukura që ia vlen të kalohen pushimet. Në shkurt të këtij viti po nga kjo e përditshme britanike në një shkrim për Shqipërinë, vendi ynë u cilësua si “një dashuri e re mesdhetare”, si një nga destinacionet më të nxehta të vitit 2011, duke radhitur një sërë pikash kyçe pse ia vlen që në Shqipëri të kalohen pushimet.
Historia e lashtë që daton nga qytetërimet ilire, greke dhe romake bëhet një pikë e nxehtë arkeologjike, ushqimi tradicional, peizazhi mahnitës, plazhe të qetë me temperatura të ngrohta janë ato çka citojnë mediet e huaja që Shqipërinë e cilësojnë si një nga destinacionet më të mira turistike.
Tv Klan