E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radio-loja apo spiuni rus Kim Filbi sollën dështimet e operacioneve?



Stephen Dorril

(Vijon nga numri i kaluar)

Selim Daci u arrestua një ditë pas zbarkimit. Gjura ishte më me fat dhe ishte i vetmi që shpëtoi, sepse ai zbarkoi disa milje larg zonës së zbarkimit. Së bashku me kolegët e tij, në fund të dhjetorit, ai shpëtoi dhe u largua për në Jugosllavi pa arritur ndonjë nga objektivat. Daci u torturua dhe u dënua me punë të detyrueshme. U lirua pas dyzetë vjetësh. Të egërsuar për mungesën e Gjurës, policia sekrete shqiptare ndërmori një hakmarrje të tmerrshme, duke arrestuar dhe ekzekutuar më shumë se dyzetë anëtarë të familjes së tij. Pasi u kthye në Maltë, Entëni Northrop i kishte të qarta defektet në planifikimin e operacionit. Ai mbërriti në konkluzionin se operacioni, “për arsye politike e burokratike”, do të vazhdonte. Zyrtarët e lartë të MI 6-ës fajësonin “kukudhët” për dështimet. Me sa duket, Shërbimi e përdorte këtë si një model të “hakmarrjes anti-sovjetike” dhe nën presionin për të pakësuar ushtarakët, këmbëngulën për operacione më të shumta dhe më të mëdha. “Kokëkrisurit” lakmonin suksesin në terren që do të ndihmonte karrierat e tyre dhe Northrop kishte përshtypjen se “Broduej” po bënte eksperimente me të rinjtë shqiptarë, duke i përdorur ata jo si aleatë, por si kurban. Nuk ishte më ajo shkathtësi që e kishte bërë vite më parë SOE-n mjeshtër botëror të luftës guerile. Northropi mendonte se e vetmja taktikë që mund të ketë sukses do të ishte vrasja e Hoxhës, por ky veprim nuk u miratua nga Bevëni, ndërsa Përkinsi kishte vënë veton duke e konsideruar atë si një veprim shumë të “zhurmshëm”.
Alternativat
Megjithëse kronisti kryesor i “Valjuejbëll”, Nikollës Bethëll, fillimisht e shikonte atë si operacion të peshuar mirë, mesa duket kishte ndërruar mendim, - ndoshta si rezultat i intervistimit të shqiptarëve. Shërbimi sekret ishte në orët më të këqija – i paaft, i papërgjegjshëm. “Unë e kuptoj keqardhjen e tyre për një konflikt të ashpër, por jo kur ai mbështetej nga një mungesë e tillë e trishtueshme profesionalizmi dhe mospërfillje për jetën e shqiptarëve, të cilët dërgoheshin në terren, pa përmendur fare familjet e tyre të pafajshme të cilët qenë të dënuara të duronin hakmarrjen e Hoxhës”. Shërbimi, dhe Bethëll, më vonë do të përpiqeshin t’ia hidhnin fajin dështimeve të Kim Filbit, por kjo ishte vetëm një pjesë e çështjes. Ishte e vërtetë që ai bëri shumë për të sabotuar operacionet shqiptare dhe kishte paralajmëruar KGB-në për zbarkimet në bregdet gjatë tetorit të vitit 1949, depërtimet nëpërmjet kufirit në verën e vitit 1950 dhe hedhjen e parë me parashutë të bërë nga CIA, në nëntor të vitit 1950. Por, ai ndoshta e kaloi informacionin vetëm në vija të trasha dhe siç arsyetonte Kristofër Endrju, biles, pa ndihmën e tij, aksioni i fshehtë ndaj Shqipërisë do të dështonte. Agjencitë e zbulimit perëndimor, me dhimbje, mësuan më vonë se Shqipëria kishte hartuar sistemin e saj diz-informues nëpërmjet radio-lojës.

Lajmërimi
Në janar të vitit 1951, Ministria e Brendshme e Shqipërisë informoi për futjen e një grupi të madh në Veri, por që kishte dalë pa sukses. Dyzetë e tre guerrilas kishin depërtuar brenda vendit me anije apo të hedhur me parashutë, por që kishin pësuar disfatë nga forcat e policisë pas një luftimi me armë që kishte zgjatur për disa ditë. Njëzetenëntë guerrilas ishin vrarë dhe katërmbëdhjetë ishin kapur. Një muaj më vonë një grup tjetër me guerrilas u fut në Shqipëri dhe fillimisht u prit mirë nga fshatarët, kur rasti e sillte që ata të takoheshin. Nga disa raporte të marra që bënin fjalë për rezistencë dhe kryengritje, u ngjallën shpresat se ky mision mund të dilte me sukses. Në prill, zyrtari i lartë jugosllav Milovan Gjilas i tha Sajrës Soullsbërgërit në Beograd se në Shqipëri “punët po shkojnë më keq. Ai është një vend i vogël dhe i mjerë. Hoxha ka humbur përkrahjen e të gjithë elementëve dhe vetëm mbahet në pushtet me metodat brutale policore. Policia është besnike, sepse ajo përbën një klasë të privilegjuar”. Megjithëse në Jugosllavi gjatë vitit 1951 ishte ngritur një Komitet me të arratisur shqiptarë për t’iu kundërvënë regjimit të Hoxhës, Gjilasi shprehte frikë për një ndërhyrje nga jashtë në Shqipëri. Për ironi, veprimet anglo-amerikane në vend, gabimisht, shikoheshin si orvatje të rusëve për të nxitur trazira, si prelud i një ndërhyrjeje ndaj Jugosllavisë. Zëdhënësi jugosllav Vllado Dedjer bëri të njohur se nga një bombë e hedhur në ambasadën sovjetike në Tiranë, ishin vrarë diplomatë rusë, si dhe personel ushtarak. Dedjeri e quante këtë një vepër të një “agjenti provokator” sovjetik. Ka pak gjasa, por ky akt terrorist ndezi një sundim terrorist dhe shtypje të paprecedent.
Braktisja
Suksesi fillestar i misionit të fundit ndaj Shqipërisë ishte jetëshkurtër sepse njerëzit, armët dhe pajisjet që priteshin të hidheshin, ngelën pa u materializuar. Ata u asgjësuan një e nga një nga forcat e Sigurimit dhe në fillim të majit, të mbijetuarit ishin të detyruar të kalonin në Jugosllavi, ku u internuan për disa vite. Gjatë pranverës, Arçi Lajëll kaloi nga Triestja për në Romë, ku zëvendësoi Piter Kempin dhe Xhon Hebërdinin për ndjekjen e misionit “Veljuejbëll”. Në të njëjtën kohë, Majkëll Bërk i diz-iluzionua e la operacionin “Find” për të organizuar hedhje agjentësh në Bashkimin Sovjetik, të cilët pësuan po të njëjtin fat katastrofik. Ai u zëvendësua nga Zhozef Lib, ish-major në ushtrinë amerikane dhe specialist për çështjet publike. Para se të largohej për në Gjermani, Bërk i dorëzoi Frenkin Lindzit raportin përfundimtar të operacionit në të cilin ai theksonte se “kërkesat politike mund të arrihen vetëm me anën e një operacioni më të madh ushtarak”. Lindzi e miratoi, ndërsa figura të tjera madhore në CIA nuk ishin dakord. Uajznëri i kërkoi ndjesë Kim Filbit për dështimet duke i thënë: “Ne do ta korrigjojmë këtë radhën tjetër”. OPC-ja e Frenk Uajzërit tani operonte brenda kompetencave të CIA-s, por si një sektor i pavarur, përfundimisht, ai përgjigjej para drejtorit të ri Uallter Bedëll Smith. Megjithëse miqësor nga pikëpamja profesionale me Filbin, e parë në dritën e një sërë operacionesh kompromisi midis MI 6 dhe CIA-s , Uajznëri, me sa duket, kishte dyshime për oficerin ndërlidhës britanik. Ai i tha Bob Xhojsit se në radhët e tyre ndoshta ka një tradhtar. Ka të ngjarë të jetë brenda OPC-së. Në një jetëshkrim të pabotuar, Xhojs zbuloi se “Uajznëri kishte ardhur në përfundimin se Filbi kishte të ngjarë të ishte fajtori”. Nga fundi i majit të vitit 1951, pas arratisjes së diplomatëve britanikë Gai Bërchës dhe Donald Meklein, agjenti i CIA-s Uilljëm Harvei i cili merrej me armët, formuloi një memorandum prej pesë faqesh, ku zbulonte në vija të trasha jetën dhe kontaktet e Filbit. Harvi pohonte se njeriu i MI6-ës, ndoshta ishte agjent i sovjetikëve. Ndihmësi i tij personal Hju Montgëmëri ishte i sigurt se shefi i tij kishte ngritur dyshimet si rezultat i dështimeve në Shqipëri.
RAPORTI
Harvi i dorëzoi raportin e tij dërrmues drejtorit, i cili menjëherë i dërgoi një kopje Stjuërt Menzisit, të shoqëruar me një letër paralajmëruese ku kërkonte që Filbi të pushohej nga puna, përndryshe të gjitha lidhjet e rëndësishme zbuluese do të ndërpriteshin. Raportet në fjalë tani ndodhet në koleksionin e CIA-s, të dosjeve tepër sekrete, të njohur me emrin “Dosjet e Zeza”. Në radhët e oficerëve të MI 6-ës që pranuan provat amerikane kundër Filbit ishte edhe ndihmës kryetari Xhejms Istën, i cili kryesoi Komitetin e Brendshëm të Shërbimit për operacionin “Valjuejbëll”. Istëni u mënjanua nga shoqëria sepse guxoi kaq keq rreth anëtarit më të besuar të “Firmës” dhe u përjashtua nga pjesëmarrja në diskutimet e nivelit të lartë. Në një njoftim privat dërguar Drejtorit të Byrosë të Bashkuar të Zbulimit Gjeneral Major Kenëth Strong, Bedëll Smith, i cili personalisht e kishte pyetur Filbin shkruante: “Unë shpresoj që bastardi do ta gjejë vendin. Unë njoh disa shqiptarë, anëtarë të një fisi, të cilët do të deshën të merreshin gjysmë ore me të”. Menjëherë pas kësaj, Strongu, i cili kishte shërbyer me Bedëll Smithin si shef i zbulimit të Ajzenhauerit, u emërua përkohësisht në Uashington si ndërlidhës i MI 6-ës pranë CIA-s. Shumë shpejt ai u bë një figurë e njohur dhe i la përshtypje të mirë edhe drejtorit të CIA-s që deshte ta caktonte Strongun zëvendës që të përgjigjej për operacionet sekrete të agjencisë, por Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NCS) nguroi që të caktohej një i huaj në këtë post. Strongu u zëvendësua në gusht nga përfaqësuesi zyrtar i MI 6-ës Meklekën Silverud Koup, i cili qëndroi deri në janarin e ardhshëm, kur posti u mor nga Xhon Brëus Lokhart. Ky i fundit ishte përgjegjës për shërimin e plagëve me “kushërinjtë” amerikanë.
Kim Filbi
Pavarësisht faktit që Filbi tani ishte tepër i dyshuar si “Njeriu i Tretë” dhe vlerësohej në mënyrë të prerë nga një numër oficerësh të CIA-s si tradhtar, në mesin e citit 1951 u vendos që të vazhdohej me operacionin shqiptar. Në fakt, OPC-ja filloi të hedhë shuma të konsiderueshme. I nxitur nga raporti i Bërkut dhe eksperiencës së tij të fituar nga turneu nëpër qendrat e CIA-s në Evropë, Frenklin Lindzi kishte dyshime reale rreth heqjes së Perdes së Hekurt. “Ishte kohë paqeje, jo luftë. Personali që kishte luftuar kundër gjermanëve nuk kishte punuar kundër rusëve të cilët dukeshin të paarritshëm”. Lindzi erdhi në përfundimin se “operacionet e OPC/MI6-ës nuk po ecnin në asnjë vend. Ai nuk akuzonte Filbin për dështimin dhe mendonte se sovjetikët nuk do ta sakrifikonin atë për Shqipërinë. Ai mendonte se operacioni nuk doli me sukses sepse “ne nuk mund të na mbanim fshehur në kampet e grumbullimit të emigrantëve dhe sepse aparati komunist i Sigurimit ishte jashtëzakonisht i fortë”. Situata u keqësua kur OPC-ja filloi të hedhë paratë lart e poshtë. Kishte mjaft thashetheme të lëshuara pa kujdes në radhët e emigrantëve në Romë e Athinë; - dhe, pavarësisht telasheve të kundërzbuluësve që interceptonin transmetimet me radio të agjentëve në Shqipëri se, “dora”;- stili individual dhe modeli që i dallon telegrafistët nga njëri-tjetri; - nuk ishte plotësisht i saktë. Uajznëri nisi për në Shqipëri akoma më shumë grupe të tjera.

Përktheu Perlat Çaushi

Titulli është redaksional

Në numrin e radhës do të ndiqni

Shkaqet e dështimit të shërbimeve anglo-amerikane me Shqipërinë

A ishte realisht Kim Filbi, spiuni rus, shkaktari i operacioneve për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës?

Apo, ishin organet e specializuara të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri më të forta sesa skemat e huaja

Sekreti i Radio-Lojës dhe mënyra sesi ranë në duart e shqiptarëve fjalëkalimet sekrete të ndërlidhjes

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

10 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›