“The White Lotus” pushton Festivalin e Filmit në Kanë, sezoni i ri xhirohet mes yjeve të kinemasë

KANË, 15 maj /ATSH/- “The White Lotus” do ta zhvendosë historinë e sezonit të katërt në Festivalin e Filmit në Kanë, duke e sjellë serialin e njohur në zemër të një prej ngjarjeve më prestigjioze të kinemasë botërore, sipas AP.
Ngjarjet e sezonit të ri do të zhvillohen rreth festivalit francez, ndërsa vendndodhja kryesore do të jetë “Hotel Martinez”, hoteli luksoz buzë detit në Kanë.
Në serial, ai do të marrë emrin imagjinar “White Lotus Cannes”.
Xhirimet kanë nisur tashmë në Rivierën Franceze, por deri në ditët e para të festivalit, ekipi i serialit nuk ishte shfaqur ende në zonën kryesore të Kanës.
Festivali zgjat deri më 23 maj dhe mbetet e paqartë nëse xhirimet do të përkojnë me aktivitetet publike të tij.
Përfshirja e festivalit në serial konsiderohet një hap i rëndësishëm, pasi Festivali i Filmit në Kanë, është prej dekadash një sfond i preferuar për filma dhe seriale.
Megjithatë, organizatorët janë të kujdesshëm që vëmendja të mbetet te filmat konkurrues dhe jo te produksione të tjera.
Përfaqësuesit e HBO-së dhe organizatorët e festivalit nuk kanë dhënë ende një koment mbi xhirimet.
Ideja për sezonin e ri lindi pas një vizite të producentit David Bernad dhe krijuesit Mike White në festival në vitin 2021.
Bernad tregoi se një darkë dhe një situatë e pazakontë me stafin e një restoranti i frymëzoi ata – për ta vendosur historinë pikërisht në Kanë.
Sipas tij, energjia e festivalit ishte aq e veçantë sa i bindi atë, se aty mund të ndërtohej i gjithë sezoni.
Historia do të fokusohet te personazhet, marrëdhëniet e tyre, lëvizjet brenda festivalit dhe tensionet që krijohen gjatë ditëve të tij.
Në kastin e ri përfshihen Steve Coogan, Heather Graham, Kumail Nanjiani dhe Rosie Perez.
Ndërkohë, disa aktorë të tjerë të sezonit ndodhen tashmë në festival për projekte të ndryshme.
Vincent Cassel kaloi në tapetin e kuq duke përfaqësuar filmin “Parallel Tales”, ndërsa Laura Dern do të marrë pjesë për dokumentarin kushtuar babait të saj, Bruce Dern.
Përveç Martinez, xhirimet do të realizohen edhe në “Airelles Château de la Messardière” pranë Saint-Tropez, i cili në serial do të shfaqet si “White Lotus du Cap”.
Producentët zgjodhën këtë hotel pas kërkimeve në disa lokacione përgjatë rivierës.
Drejtuesi i “Hotel Martinez”, Michel Cottray, tha se hoteli është tashmë pjesë qendrore e festivalit, duke pritur çdo vit dhjetëra yje dhe delegacione filmike.
Sipas tij, disa kate do të mbyllen plotësisht gjatë xhirimeve dhe publiku nuk do të ketë akses në ato zona.
Ai shtoi se xhirimet do të zhvillohen në pjesë të ndryshme të hotelit dhe se stafi është përgatitur për situata të papritura, duke lënë të kuptohet se atmosfera reale e festivalit mund të përzihet me botën dramatike të serialit — një skenar që i përshtatet vetë frymës së “The White Lotus”. //a.i/