E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellësia e shpirtit

13-09-2011 / Nga Lavdrim Lita

Të shumtë ishin shkrimet që u botuan dy ditë më parë për të përkujtuar tragjedinë e ndodhur 10 vjet më parë në Nju Jork, ku një njësit terrorist vetëvrasës sulmoi simbolin e kapitalizmit të demokracisë Perëndimore. Të paktë ishin shkrimet që mbrojtën frymëzimi demoniak të kamikazëve islamikë ndaj dy kullave binjake. Mirëpo një shkrim i botuar një ditë më pas 11 shtatori 2011, në një të përditshme shqiptare, me titull “Zgjimi i shpirti” është i paklasifikueshëm, sepse nuk është për të përkujtuar ngjarjen tragjike të 11 shtatorit 2001 dhe as për të mbrojtur ideologjinë e kamikazëve. Thjesht “zgjimi i shpirtit” është një tjetër tepri metaforike e përdorur shpesh në Shqipëri për marketing promocional të një individi, si Tariq Ramadan, që shitet si filozof i ndritur, por që është veçse një dijetar fundamentalist i islamizmit Europian. Kësaj kundërthënie kuptimore “Islamizëm- Europian”, del i pakuptueshëm jo për arsyen laike të Europës së sotme, por edhe Europës tjetër katolike. Megjithatë Europa i ka rrënjët e përcaktuar nga historia e jetuar për 3 mijë vjet. Dhe është veçse një provokim intelektual të shkruash shqip për Tariq Ramadan si promotor vlerash, një ditë pas 10 vjetorit të sulmit fundamentalist islamik ndaj dy kullave binjake, më 11 shtator 2001. Disa në Perëndim dhe këtej nga ne, në Shqipëri, e kishin keqkuptuar armikun dhe arsyet e tij, kurse të tjerët e kishin nënvlerësuar  aftësinë e  tyre për  të bërë keq. Në veshët e këtyre njerëzve e vërteta e thjeshtë mbi kërcënimin xhihadist dukej e ekzagjeruar. Për shumë persona ajo që ndodhi 10 vjet më parë ishte një cangë alarmi, që rikthente vëmendjen ndaj realitetit xhihadist në Perëndim dhe mbi faktin që bota e lirë kishte shumë armiq që përbuznin demokracinë dhe urrejtja i kishte rrënjët në një libër të shkruar përpara 1300 vjetësh. “Zgjimi i shpirtit publik” pasojë e predikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë të Tariq Ramadan janë gjetje intelektuale për të anuluar arritjet e qytetërimit Oksidental dhe për t’i quajtur degjenerim arritjet e rendit kapitalist dhe sipërmarrjes liberiste. Mirëpo zhdoganimi i tezave oportuniste të Tariq Ramadan në opinionin publik shqiptar i shërben vetëm atyre që duan ta zhvendosin kombin tonë në krahun lindor të vijës së Teodosit. Përpara se Tariq Ramadan të vinte në Shqipëri, jo të gjithë e dinë se ai kishte pasur një agjendë të ngjeshur udhëtimi dhe predikimi në Ballkan, sipas asaj që quhet “vija e gjelbër islamike” në rajon (Bosnje, Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri). Me patjetër predikimi i dijetarit islamist të ardhur posaçërisht nga Zvicra për të promovuar dhe përfaqësuar një lëvizje “Islami Europian në” Ballkan është për t’u analizuar me kujdes dhe nxjerrë konkluzione të duhura. Përpjekjet e herahershme të penetrimit të kulturës orientale  dhe agresionit të xhihadizmit kulturor të sotëm në trojet shqiptare (që janë  kundërthënie me vlerat e lirisë dhe demokracisë Perëndimore) po bëhet gjithmonë  e më të shpeshta, dhe me siguri  nuk do të vonojnë të hyjnë në një përplasje për parcelizimin e zonave të ndikimit publik. Tariq Ramadan mund të thotë sot kudo dhe kurdo që “kriza morale” ka prekur Sistemin, por është vetë sistemi oksidental dhe ky rend botëror që e lejon zotin Ramadan të shprehë pakënaqësinë e tij teologjike. E them këtu dhe kurdo Islamizmi nuk prodhon zhvillim dhe përparim, pasi së pari mohon dialektikën. Dhe kur mohon dialektikën normale është pothuajse e pamundur të dialogohet. Qëkurse predominanten në botën filozofik islamike e ka marrë teza e Gazaliut kundër filozofëve Tahafut al-Falasifa, që refuzon totalisht themelin e qytetërimit Europian, filozofinë e lashtë greke. Kuptohet vetiu që rrënjët kristiane të Europës janë jashtë çdo lloj konceptimi. Prandaj për të gjetur “zeitgestin” shpirtin e kohës sonë duhet të futemi në thellësinë e shpirtit perëndimor. Dhe mënyra më e mirë për t’u futur në kontakt me “shpirtin e kohës” është rikthimi i leximit të teksteve klasike, të Aristotelit, apo mësuesit të tij ballëgjerë, Platoni. Është leximi i klasikëve të oksidentit dhe jo tezat e Tariq Ramadan që mund të na ndihmojë në kuptimin epifenomeneve që shqetësojnë mjedisin e përbashkët publik. Në këso momentesh e krizash të shumëfishta politike e ekonomike, rikthimi i klasikëve të mendimit perëndimor dhe leximi i tyre,të ngushëllon,jo për ndonjë arsye madhore, por sepse tek ta,njeriu sadopak gjënë prehje shpirtërore.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›