E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Azemi, Tribun i pashembullt, Flamurmbajtësi maratonomak i demokracisë

13-09-2011 / Gazeta 55

Përkujtohet 13-vjetori i vrasjes së tribunit të lirisë, Azem Hajdari

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje homazhe në kujtimin të tribunit të demokracisë Azem Hajdari, në përvjetorin e 13 të rënies së tij. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se tribuni legjendar i lirisë së shqiptarëve Azem Hajdari, dhe sivllau i tij Besnik Çerja, u ekzekutuan në 12 shtator 1998 u ekzekutuan nga falangat terroriste të shtetit të asaj kohe. Kryeministri tha se Azemi hyri në historinë e lirisë së shqiptarëve, si një tribun i pashembullt, në një kohë kur kombi lëngonte nën shtypjen më të egër, duke u shndërruar me shpejtësi në flamur mbajtësin, në maratonomakun e demokracisë shqiptare.
“Sot, ne nderojmë kujtimin e ndritur të tribunit legjendar të lirisë se shqiptareve Azem Hajdarit dhe sivllaut te tij Besnik Çerja që më 12 shtator te vitit 98 u ekzekutuan në këtë vend nga falangat terroriste të shtetit të asaj kohe. Azem Hajdari hyri në historinë e lirisë së shqiptarëve si një tribun i pashembullt, në një kohë kur kombi lëngonte ndër shtypjen më të egër, kur në tërësi besohej se Shqipëria do të mbetej Kuba e Adriatikut dhe se shqiptarët nuk do të dilnin dot nga regjimi skllavërisë, në të cilin jetonin. Azem Hajdari, studenti i fakultetit juridik së bashku me shoqet dhe shokët e tij u shndërrua, u shfaq në rrugët dhe sheshet e Tiranës si engjëj liberatorë. Me një guxim dhe trimëri të pashembullt ata u përballën rrugë për rrugë, shesh për shesh, me diktaturën më të egër në  Evropë, e gjunjëzuan atë. Azem Hajdari do të shndërrohej me shpejtësi në flamur mbajtësin, në maratonomakun e demokracisë shqiptare. Në javët dhe vitet në vazhdim, ai me një energji, guxim dhe trimëri të pashembullt do të vërshonte si uragan në mbarë Shqipërinë, të vriste frikën, e cila kishte penetruar deti në palcë të qytetarëve të këtij vendi të shtypur, tu rikthente atyre shpresën, guximin dhe besimin tek liria. Azemi dhe studentët çlirimtarë u shpallën nga shqiptarë si engjëjt  e demokracisë së tyre dhe ne të vërtetë ata të tillë ishin. Ata ia dolën me një vetëmohim të madh të shmangnin dhunën dhe bënë që një hark kohor tre mujor, partia e parë opozitare të shndërrohej në forcën kryesore morale të vendit, në parlament dhe në vazhdim, të shënonte në 22 mars të vitit’ 92 një fitore plebishitare”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri u shpreh se tashmë projekti i Azem Hajdarit dhe ëndrra e tij është më reale se kurrë, pasi Shqipëria po ecën e sigurt drejt një horizonti të ri, drejt Shqipërisë vend i zhvilluar.
“Ata, të cilët shkrehën plumbat e zi mbi gjoksin e tij menduan dhe besuan se do të mund të eliminonin kauzën e tij, por gabuan rëndë. Sot, projekti i Azem Hajdarit  ëndrra e tij dhe studenteve liberatorë është më realitet se kurrë. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Shqipëria me reformat e saj po ecën e sigurt drejt një horizonti të ri, drejt Shqipërisë vend i zhvilluar. Ndaj dhe njëherë dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta, familjes Hajdari, familjes Çera në këtë përvjetor të rënies së tribunit të lirisë dhe sivllaut të tij Besim Çera, të shpreh bindjen se idealet e lirisë së Azem Hajdarit do të lartësohen gjithnjë e më shumë në këtë vend, në këtë shoqëri”, tha Berisha.

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, vizitë në familjen e Azem Hajdarit
Në përkujtim të 13-vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi një vizitë në familjen Hajdari, ku u takua me bashkëshorten, fëmijët dhe të afërmit e Heroit të Demokracisë.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se Azem Hajdari ishte një politikan që lirinë e kishte në themel të betejave të tij dhe sot idealet dhe ëndrrat e tij për lirinë dhe demokracinë janë një realitet. “Azemi ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të veçantë në Partinë Demokratike, njeri i lindur me një instinkt politik, që vështirë ta gjesh në vite, një njeri që lirinë e kishte në themel të të gjitha betejave të tij. Prej tij në ato vite ne inspiroheshim, merrnim kurajën për të kapërcyer momente jashtëzakonisht shumë të vështira. Azemi e donte vendin, e donte flamurin shqiptar dhe sakrifica e tij është një moment për të cilin të gjithë politikanët e rinj, jo vetëm që do të përkulen por edhe do ta shohin si modelin e një politikani dhe njeriu shumë të veçantë, që u bë lider në kohën e ndryshimeve të mëdha historike, dhe nga ai moment, Shqipëria është kjo që është, e lirë, në NATO dhe pa viza. Në këtë ditë unë dua të bëj homazh në nderim të veprës së tij, Azem Hajdarit”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›