Elitat
Elitat në Kosovë gjithmonë kanë qenë të dyshimta, surrogate, të paformuara dhe shpesh nën nivelin e cilësive që i përbejnë ato. Elitat politike, ekonomike dhe kulturore të Kosovës, që janë shtyllat e një shteti, janë pozicionuar jo për nga statusi dhe dija e njerëzve që i kanë përbërë ato, por për nga fuqia financiare dhe pushteti që kanë pasur njerëzit e tyre. Elitat ekonomike dhe politike, si grupacionet më të fuqishme, janë një mesele në vete, të cilës po i hyre, nuk e di se ku do të dalësh. Por, cila është elita kulturore e Kosovës. Janë njerëzit e pushtetit kulturor, të arsimit apo të shkencës. Janë shkrimtarët inekzistentë, publicistët, artistët, këngëtarët, apo gazetarët, he shumica prej të cilëve mos qofshin. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, si institucioni më i lartë i dijes, për herë të fundit është kujtuar kur një kryeministër kishte vendosur një mbishkrim (haiku) në hyrje të saj dhe që pak ditë më pas i njëjti ishte fshirë si të mos kishte qenë kurrë. Që atëherë, askush nuk ka dëgjuar më për akademinë, se me çfarë është marrë ajo, çfarë ka bërë e çfarë ka shkruar. Cilat kanë qenë projektet e saj shkencore. Nuk e mbaj mend kur të jetë përmendur kryetari i Akademisë së Shkencave dhe për çfarë. E besoj fort se sot është shumë i vogël numri i njerëzve që e dinë se kush është në krye të këtij institucioni më të lartë të dijes. Në fakt, ka pasur një punë të zëshme të Akademisë së Shkencave dhe ajo ka qenë ndarja e titujve akademikë, të cilët tashmë më shumë se kurrë jepen pa karar dhe me preferencë politike. Me gjithë respektin për një numër, të vogël fatkeqësisht, të akademikëve të Kosovës, shtëpia e tyre sot më tepër i ngjan një azili të pleqve, ku pihet kafja dhe harxhohet dita dhe ku njerëzit e saj shohin ëndrra të luajnë shah ose domino. Edhe pak emra, që dikur i kemi njohur më të mëdhenj, të letrave dhe të shkencës, kush më pak e kush më shumë, janë shndërruar në argatë të politikës dhe jo pak prej tyre i fusin hundët edhe atje ku nuk e kanë vendin... në skenën politike shqiptare, madje duke dhënë edhe këshilla se kush do të duhej të ishte në krye të saj sot ose nesër. Kjo është një pjesë e elitës kulturore e shkencore të Kosovës. Një pjesë tjetër e kësaj elite do të duhej të ishin njerëzit e pushtetit kulturor, për të cilët po lexoj të mos kenë pasur dijeni, se sa objekte të trashëgimisë i ka Kosova, se sa prej tyre janë prishur dhe se sa të tjera do të duhej të ribëheshin. Apo njerëzit e institucioneve të kulturës dhe të artit. Të teatrove që janë bërë si kooperativat e kolektivizimit dikur, ku punohet angarie dhe ku artistët, jo rrallë dhe me shumë nostalgji, i kujtojnë kohët që ikën e vanë. Pak prej tyre mbijetojnë me ndihma ose me donacione nga miq të pushtetit ose të komunitetit. Apo një pjesë e vogël e artistëve të tjerëve që kanë mundur të jenë të punësuar sezonalë, në teleseritë e krijuara e të paguara me paratë e taksapaguesve, e që janë për faqe të zezë. Pjesa e asaj që do të duhej të ishte elita krijuese muzikore, që ne e kemi quajtur “estrada”, janë bërë si dajrexhinjtë e haneve dikur, të cilët më shumë se asnjëherë bashkëjetojnë me dasmat e synetitë dhe me mallin për këngën të mërgimtarëve tanë, të cilët akoma po paguajnë për muzikë. Dhe këta janë pjesë e elitës kulturore të Kosovës. Në shoqëritë normale, edhe publicistët dhe gazetarët janë një segment i fortë i elitës kulturore ose politike, por vrasja më shumë se kurrë e fjalës që shkruhet, ose tjetërsimi i saj, ose shitja e saj, ka bërë që numri i publicistëve ose i “opinion makers”-ve, të jetë më i vogël se kurrë.
Dhe, së fundi, njerëzit e letrave, që po zvogëlohen përditë, dhe që janë bërë vizitorë të rregullt të kafehaneve dhe që jo pak prej tyre edhe sot jetojnë me namin që kanë pasur dikur. Vendin e tyre, po thonë se po e zënë “horrat” që shkruajnë me porosi dhe që botojnë me pare. Dyzina e dikurshme e emrave të fortë të letrave në Prishtinë, sot është shndërruar në një grusht të vogël pleqsh që pinë kafe përballë sheshit dhe i shohin piliherdhat t’u ecin para syve e që nuk iu kujtohet për kiamet se “çfarë u bënin atyre dikur”. Dhe, kjo është pjesë e elitës. Një shkrimtar i madh shqiptar dikur i paskësh thënë kolegut të tij: “Bëhu që s’po sheh se sot është kohë horrash”. Ai dhe kolegu i tij ishin bërë që s’po shihnin, por shumë vite më vonë, horrat e dikurshëm, sërish kanë mbetur horra ndërkaq mjeshtërit e letrave akoma nuk kanë guxim të flasin. Ata sot kanë të njëjtin status. Janë pjesë elitare...
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”