Shkelja e Kushtetutës, Topi i kërkon sqarime Imamit

Presidenti Topi dhe ministri i Mbrojtjes, Imami
Nis korrespondenca zyrtare mes kreut të shtetit dhe ministrit të Mbrojtjes.
Presidenca: Kërkojmë zyrtarisht shpjegime nga ministri.
Presidenca i ka kërkuar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, shpjegime lidhur me emërimin e komandantit të Flotës Detare. Burime nga Presidenca pohojnë se letra është nisur tri ditë më parë drejt Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa ende institucioni i kreut të shtetit nuk jep asnjë reagim lidhur me ligjshmërinë e procedurës së ndjekur nga ministri i Mbrojtjes. Vetëm pasi të jetë parë shpjegimi nga ministri i Mbrojtjes rreth emërimit të Ferdinand Kreshpanit, Kapitenit të Rangut të Parë, në detyrën e komandantit të Forcës Detare, Presidenca do të japë reagimin e saj zyrtar rreth anashkalimit të kompetencave kushtetuese të kreut të shtetit. Ishte deputeti socialist Pirro Lutaj, i cili në Komisionin e Sigurisë Kombëtare paraqiti një shkresë, urdhër të ministrit Imami, të datës 23.1.2012, sipas së cilës: Kapiteni i Rangut të Parë, Ferdinand Kreshpani, deri tani me detyrë komandant i Flotijës Detare Jugore, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet me detyrë komandant i Forcës Detare. Lutaj e cilësoi këtë urdhër si antikushtetues dhe të paligjshëm, duke e argumentuar këtë me kompetencat që Kushtetuta i jep Presidentit të Republikës. Ai e akuzoi ministrin se ka marrë kompetencat e Presidentit, ndërsa i kërkoi Kryeministrit të ndalojë këtë puç institucional, siç e cilësoi deputeti socialist. I kërkoj të reagojë Presidentit të Republikës, sepse ky quhet një krim kushtetues, kam kërkuar që të reagojë Kryeministri i vendit, sepse ky është një puç institucional, kam kërkuar të reagojë ministri i Mbrojtjes, që të bllokojë menjëherë urdhrin e lëshuar për emërimin e komandantit të Forcave Detare dhe të bëjë praktikën për tia çuar këtë Presidentit të Republikës, u shpreh Lutaj. Ish-kreu i shtetit, Alfred Moisiu, hodhi poshtë pretendimet e maxhorancës për emërimin nga ministri i Mbrojtjes, duke sjellë në vëmendjen dekretimin e mëparshëm të komandantit të Flotës Detare të bërë prej tij. Kushtetuta nuk shprehet që nëse komandanti i Forcave Detare nuk është gjeneral, mund të emërohet nga ministri i Mbrojtjes pa dekretimin nga Presidenti i Republikës. Edhe unë, kur kam dekretuar Kristaq Gervenin si komandant të Flotës Detare, ai nuk ka pasur gradën e gjeneralit, por ka qenë kapiten i rangut të parë, u shpreh Moisiu. Deputeti socialist, Lutaj, u shpreh gjithashtu se ministri i Mbrojtjes ka shkelur nenin 169 të Kushtetutës, pika 3, ku thuhet se Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon shefin e Shtabit të Përgjithshëm si dhe me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore. Në dekretimet e mëparshme, kreu i shtetit ka dekretuar jo vetëm komandantët e forcave të armatosura, por dhe nënkomandantët e tyre. Lutaj i bëri thirrje edhe oficerit të emëruar në detyrë si komandant i Flotës Detare, të mos e ushtrojë funksionin, në të kundërt do të ndiqet penalisht.
Rexhep Meidani
Sipas nenit 169/2, Presidenti, në kohë lufte, emëron dhe shkarkon komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit, ndërsa për kohë paqeje, sipas nenit 169/3, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore. Ky paragraf kushtetues nuk lejon asnjë lloj ambiguiteti në procedurën e emërimit të komandantëve të forcave tokësore, detare dhe ajrore, u shpreh ish-kreu i shtetit Rexhep Meidani.Alfred Moisiu
Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, e cilësoi urdhrin e ministrit të Mbrojtjes si antikushtetues. Urdhri i lëshuar nga ministri i Mbrojtjes për emërimin e komandantit të Flotës Detare është antikushtetues. Kushtetuta e përcakton qartë se Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon shefin e Shtabit të Përgjithshëm si dhe me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore, u shpreh ish-Presidenti i Republikës.Shefi i Shtabit
Shefi i Shtabit, gjeneral Xhemal Gjunkshi, tha për Zërin e Amerikës se Presidenti ka kompetencë vetëm mbi gjeneralët si gradë, dhe jo mbi postet. Emërimin deri në gradën Kolonel e bën ministri. Këtu nuk kemi të bëjmë me gradën Gjeneral, që ministri ka emëruar në detyrë pa e dekretuar te Presidenti i Republikës, duke nënkuptuar se ministri Imami nuk ka shmangur Presidentin Topi dhe nuk ka shkelur Kushtetutën.
Imami akuzoi Topin për 21 janarin
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka hedhur akuza të rënda për Presidentin e Republikës për ngjarjet e 21 janarit. I ftuar në emisionin Debat në Vizion Plus me gazetarin Alfred Peza vetëm pak ditë pas demonstratës së dhunshme, Imami nuk kurseu akuzat ndaj kreut të shtetit, duke e bërë atë palë me opozitën si organizatore e demonstratës. Kemi prova për grusht shteti, është shprehur Imami vetëm një javë pas demonstratës së dhunshme. Sipas tij, ka pasur informacione nga shërbimet e Ushtrisë se qëllimi i protestës së dhunshme ishte krijimi i anarkisë. Pas datës 21 janar ne patëm informacione se grupe të caktuara do të ishin të interesuara të përfitonin nga anarkia. Kam thënë se kam informacion nga Spitali Ushtarak se të vrarët janë qëlluar nga afër, është shprehur ministri i Mbroj-tjes i ftuar në emision. Ministri i Mbrojtjes nënshkroi emërimin e Ferdinand Kreshpanit, Kapitenit të Rangut të Parë, në detyrën e komandantit të Forcës Detare duke injoruar Presidentin e republikës një vit pas demonstratës së dhunshme.