E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet skandali Basha me pasaportën

Pasaporta me numrin 0160138 rezulton me statusin e humbur dhe mbajtëse e saj një shtetase me emrin Entela Syrja Hoxha, nga një fshat i Përmetit, martuar ne Elbasan

Një hije e re dyshimi po vërtitet mbi Lulëzim Bashen. Pasaporta e deklaruar shqiptare, të cilën noteri holandez e ‘ka ngatërruar për amerikane, rezulton të ketë në sistemin e policisë statusin e humbur dhe i ka përkitur shtetases Entela Syrja Hoxha, nga fshati Topojan i Përmetit, martuar në një fshat në Elbasan, e datëlindjes 24. 9. 1986. Ky status krijon dyshime të reja për autenticitetin e pasaportës që Basha ka paraqitur para noterit holandez. Media i ka kërkuar Bashës të paraqesë pasaportën e tij origjinale, por ai s’e ka bërë këtë.  Sipas ekspertëve të policisë, Basha mund të ketë përdorur një pasaportë shqiptare me të njëjtat numra, që nuk ka qenë e vlefshme në Shqipëri, pra ka pasur pasaportë fallco shqiptare.

Dyshimet u shtuan së tepërmi pasi  noteri holandez bëri një sqarim të paqartë kur tha se për shkak të vizës amerikane e ngatërruam pasaportën e  zotit Basha me një pasaportë amerikane. Në fakt, të vetmet pasaporta në botë që nuk kanë viza amerikane, janë pasaportat amerikane. Mbrojtja e Bashës nga noteri i  tij është shumë e dobët dhe ngre më shumë pikëpyetje se sa kishte më parë për këtë çështje. Po ashtu ka shumë pikëpyetje se si Basha ka siguruar një kredi në Holandë me dy pasaporta shqiptare.

Sidoqoftë, prokuroria duhet të hetojë vërtetësinë e informacionit që vjen nga sistemi i policisë për pasaportën me këtë numër, e cila i ka takuar më parë një shtetase shqiptare me statusin e humbur, dhe më pas shfaqet si pasaportë e Lulëzim Bashës.

Një tjetër detaj interesant është se njoftimi i shpërndarë në media në emër të noterit holandez është i shkruar në zyrën e Glori Hysit, këshilltarit të kryeministrit Sali Berisha. Secila redaksi që e ka atë file në attach, mund ta bëjë vetë provën: Të klikojë mbi file, të shkojë tek properties dhe do të shikojë se autor i produktit  është Glori Hysi. Kjo është një pasaktësi që Basha mund ta kishte shmangur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›