E Shtunë, 31 Tetor 2026

Themelohet Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare

Nga Express më 10 prill 2011 në ora 12:59

Orkestra e parë Filarmonike Mbarëshqiptare u themelua të shtunën ligjërisht dhe si qëllim kryesor ka nxitjen dhe bashkëpunimin kulturor mes artistëve nga gjithë trevat shqiptare, ndërkohë që koncerti i radhës pritet në vjeshtën e këtij viti.

Në konferencën për shtyp të prezantimit të kësaj orkestre paraditen e së shtunës në Akademinë e Arteve, pianisti Desar Sulejmani u shpreh se ideja për këtë orkestër lindi në nëntor të vitit të kaluar, kur kjo orkestër shfaqi dhe një koncert në Gjermani dhe është konceptuar si një bashkim kulturor dhe shpirtëror shqiptar.

“Kjo orkestër është në radhë të parë një synim i përbashkët jo për 2 apo 3 koncerte, por për një ide që është forcimi i identitetit tonë kulturor”, tha Sulejmani.

Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare do të përfshijë gjithë prurjet më të mira muzikore të trevave shqiptare, të cilat do të përzgjidhen nga një sistem rotacioni, ndërkohë që tre qendrat e saj do të jenë Tirana, Prishtina dhe Shkupi.

Qendra Artistike “Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare” përbëhet nga artistët themelues si Desar Sulejmani, njëkohësisht dhe kryetar i saj si dhe Baki Jashari (Kosove), Blerim Grubi (Maqedoni), Isak Shehu (Shqipëri), Sihana Badivuku (Kosovë), Fatos Lumani (Maqedoni) Pjetër Guralumi dhe Bujar Alliu (Shqipëri).

Pas koncertit të radhës që pritet të jetë në vjeshtë të këtij viti në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe treva të tjera shqipfolëse, kjo orkestër do të japë edhe një koncert në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me synim përfaqësimin sa më të madh të muzikës shqiptare.

Violinisti Blerim Grubi gjatë konferencës u shpreh se kjo trupë e parë e përbashkët do të ofrojë më shumë artistë shqiptarë dhe interesi kryesor është që të njihen dhe të bashkëpunojnë më tepër me njëri-tjetrin.

Ndërkohë që dirigjenti dhe kompozitori nga Kosova Beki Jashari e cilësoi këtë bashkëpunim artistik si një mision pozitiv. “Instrumentistët kosovarë do të përfitojnë shumë nga ky bashkëpunim dhe nga përvoja shqiptare”, tha Jashari.

Ndër qëllimet e këtij institucioni të ri muzikor mbarëkombëtar është promovimi i vlerave kulturore dhe i traditave të shumta muzikore ndërmjet muzikantëve, instrumentistëve, dirigjentëve dhe kompozitorëve shqiptarë. Koncertet që do të shfaqe kjo orkestër nuk do të ngelen vetëm brenda trojeve shqiptare, por ajo do të performojë kudo që ka publik sinkron me shpirtin shqiptar.

Fillimisht Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare do të mbështetet nga projektet që do prezantojë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërkohë që themeluesit shpresojnë që në një të ardhme të krijohet një fond i veçante për këtë institucion të sapokrijuar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›