Themelohet partia Mega e minoritetit grek
Emra përfaqësues të minoritetit etnik grek, të përfshirë vite më parë në politikë apo aktivë edhe sot, por edhe emra të rinj, janë nënshkrues të një akti zyrtar që i çon një hap më përpara përpjekjet për t'i dhënë minoritetit etnik grek në Shqipëri një parti me bazë dhe profil të pastër etnik. Ndër 35-40 nismëtarët e këtij aksioni politik, zotërojnë ata që janë pjesë e këshillit të përgjithshëm të organizatës politike "Omonia", por që mendojnë ndryshe nga "pjesa Bollano". Atyre u janë bashkuar në këtë nismë politike edhe të zgjedhur në qeverisjen vendore të disa komunave me popullsi etnike greke në Qarkun e Vlorës e atë të Gjirokastrës, si dhe biznesmenë që operojnë në këto qarqe. Me atributet e një komiteti nismëtar, ata janë mbledhur paraditen e djeshme në lokalin turistik të Karahaxhit, (fshat në Komunën e Finiqit) dhe kanë nënshkruar aktin e themelimit të partisë me bazë etnike greke. Edhe pse takimi është mbajtur larg vëmendjes dhe në mospraninë e plotë të mediave, përfshi edhe ato në gjuhën greke, është mësuar se mes firmëtarëve kishte ish-ministra e ish-deputetë të PBDNJ apo të "Omonia"-s në vitet e para të pluralizmit politik. Mes emrave të njohur ishin ish-ministri i Punës, Kosta Barka, e ish-deputeti Thoma Miço, kryetarja e komitetit kombëtar të minoriteteve pranë qeverisë, Kostandina Bezhani, kryetari i Komunës së Finiqit, Ziso Lluci. Ra në sy prania edhe e poetit dhe publicistit të njohur nga minoriteti, Andrea Zarballa, deputet i "Omonia"-s në Parlamentin e parë pluralist, për të cilin ky është rasti i parë i rikthimit në politikë, pas zhgënjimit prej saj. Pjesa e paangazhuar dhe e pakonsumuar deri tani në organizime politike, është përfaqësuar nga inxhinieri Kristaq Kiço. Ndërkohë, ka bërë përshtypje mungesa e ministrit aktual të Punës, Spiro Ksera, i cili mësohet të ketë qenë me shërbim jashtë shtetit. I pyetur nga "Shqip", Kosta Barka e ka vlerësuar takimin e djeshëm në Karahaxh plotësim të hapave të mirëmenduar për t'i dhënë minoritetit etnik grek partinë e munguar me bazë etnike, kompletim të procedurave dhe akteve zyrtare që kërkon legjislacioni shqiptar në këtë fushë. Përtej anës procedurale, Barka tha se "me firmosjen që iu bë dje aktit të krijimit të kësaj partie, është shënuar një arritje shumë e rëndësishme për ne të gjithë: u thye monopoli i përfaqësimit të minoritetit nga PBDNJ". Kjo është e lidhur me një nga kërkesat e shtruara me theks edhe në takimin e Karahaxhit, pasi prej fillimit grupi nismëtar ka bërë publike se nevoja për sjelljen në jetë të një partie të re, erdhi nga mosfunksionimi apo keqfunksioni e keqpërdorimi i PBDNJ nga lidershipi i saj. "Ajo që ne kemi me PBDNJ-në e Dules nuk janë kontradikta personale, por mostolerimin më ndaj mospërmbushjes së misionit dhe detyrave prej kësaj partie", u shpreh Barka.
#