Arben Malaj: PS nuk duhet të bojkotojë institucionet e Shqipërisë

Dështimi në arritjen e një konsensusi për hetimin parlamentar e ka rifutur krizën politike në kushtet e një radikalizimi, i cili po shpërfill tanimë edhe përparësitë e tjera që ka Shqipëria si integrimi dhe vëmendja ndaj problematikës ekonomike. Me këtë gjykim, ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, aktualisht deputet dhe një zë kritik brenda PS, ka parashtruar atë çfarë ai e sheh si një simptomë të shkarjes nga “demokratura në diktaturë”. Nëse ky përkufizim akuzon pushtetin dhe shumicën për një sjellje që po dëmton rëndë investimin 20–vjeçar të Shqipërisë, nga ana tjetër ai nuk kursen në kritikën e vet edhe opozitën, që me veprimet e veta ka kontribuar në krijimin e kësaj gjendjeje. Një arrogancë politike e asaj që Malaj e cilëson si “shumica numerike në PS”, po manifeston për shkak të mbytjes së alternativave të mendimit, një profil opozitar që mjaftohet te kritika pa arritur të imponohet si alternativë. Dy shfaqje të lidhura ngushtë me njëra–tjetrën, të cilat bashkohen sidomos në atë që mund të quhet zbehja e kulturës së politikës institucionale. Moskorrigjimi i qëndrimeve që aktualisht kanë prodhuar krizën, sipas ish-ministrit socialist do të penalizojnë Shqipërinë për ta lënë në vend të fundit në integrimin europian.
Z. Malaj, Parlamenti shqiptar nuk ka arritur të materializojë një marrëveshje politike mes PS-PD në funksion të zgjidhjes së krizës aktuale. Cili është komenti juaj rreth qëndrimeve të mbajtura duke marrë në konsideratë edhe thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për një “zgjidhje shqiptare” të situatës?
Si deputet, si ish-ministër i Financave të vendit tim në një situatë të vështirë, edhe si studiues për sfidat e integrimit të vendeve të Ballkanit, mund të them qetësisht, por me zë të fortë publik, që është koha të rishikojmë qëndrimet e të gjitha forcave politike për ta ndalur sa më parë përkeqësimin e situatës politike në vend. Jo vonë kjo krizë politike mund të krijojë kosto ekonomike dhe sociale që mund ta bëjnë më të vështirë jetën e përditshme të shqiptarëve të thjeshtë, të cilët jo vetëm që nuk janë fajtorë apo nxitës së saj, por rrezikohen të jenë fatkëqijtë e kësaj politike plot grindje, kapardisje dhe qëndrime tekanjoze. Ritheksova edhe në diskutimin tim në Parlament se: “çdo parti politike e përgjegjshme, në pushtet dhe në opozitë, ka si përgjegjësi kryesore të gjejë rrugët më të mira që lehtësojnë sfidat e popullit të vet, të ndërtojë strategjitë dhe rrugët që e çojnë vendin drejt një zhvillimi ekonomik e social sa më të mirë dhe të qëndrueshëm”.
Sa e aktualizon sipas mendimit tuaj “dështimi“ i debatit parlamentar skenarin e rifillimit të protestave nga ana e opozitës? Dhe a duhet që sërish protesta të kushtëzojë edhe një bojkot të Parlamentit?
Vendi ndodhet në sfidën: të jetë apo jo në trenin ballkanik që duket se dëshiron të nxitojë drejt Europës së Bashkuar të vlerave më të mira të demokracisë. Sfida është nëse ne do të jemi në njëjtin tren me vendet e tjera apo pasi të ketë ikur treni i udhëtarëve, do të duhet të presim ndonjë tren mallrash që ka e ka rrugën për në Europë. Pjesëmarrja në Parlament nuk përjashton mbështetjen e protestave publike ndaj keqqeverisjes së vendit. Në debatin parlamentar theksova se: “Nën përgjegjësinë e politikanit dhe në mbrojtje të interesave të komunitetit që më ka votuar në katër mandate, kam qenë dhe mbetem kundër bojkotit të Parlamentit nga forca ime politike, jo për të shërbyer si fasadë e dështimeve të PD-së, por si përgjegjësi për të imponuar zgjidhjen e krizës politike pikërisht aty ku ajo është krijuar dhe ku është më e qartë, në kredibilitetin e cenuar të Parlamentit të vendit tim dhe të qeverisë së PD-së“.
Meqenëse LMN, ku ju bëni pjesë është prezantuar edhe si një alternativë mendimi brenda PS, cili do të ishte opsioni juaj nëse vija zyrtare e PS adapton sërish politikën e 8 muajve të fundit?
Pak ditë më parë, ekspertët politikë analizuan se cilat janë arsyet konkrete pse laburistët po ngushtojnë diferencën me konservatorët në Britaninë e Madhe? çfarë janë duke bërë keq konservatorët? Konkluzioni kritik ndaj konservatoreve (i vlefshëm ndoshta për çdo parti që dëshiron të vijë në pushtet) ishte i qartë - Njerëzit duan shpresa, njerëzit nuk duan t’u theksohen vetëm dhimbjet, nuk duan t’u paraqitet një perspektivë gjithnjë e më e zymtë e vendit të tyre. Ky është një leksion i vlefshëm edhe për ne socialistët. Duke bojkotuar Parlamentin, duke kërcënuar thjesht me protesta, duke dhënë konferenca shtypi vetëm për dështimet e PD-së, duke botuar një gazetë të përditshme me një faqe të parë që ngjan më shumë me njoftime nekrologjie (është faqja e parë e gazetës së vetme të forcës më të madhe opozitare) PS po bën të njëjtin gabim. PS duhet të ofrojë shpresë për çdo shqiptar pavarësisht bindjeve partiake, PS duhet të ndërtojë shpresën, duhet ta ringjallë atë; në rast të kundërt ajo është duke bërë gabimin më të madh, që mund të na kushtojë jo pak; por objektivin politik të fitores në zgjedhjet vendore dhe parlamentare. Pas mesazhit të drejtpërdrejtë të Komisionierit Europian për Zgjerimin, Fule, që theksoi se “bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike dhe kjo është praktika që zbatohet në Bashkimin Europian”, PS duhet të mos bojkotojë institucionet e vendit tonë. PS duhet të ndiejë një përgjegjësi më të madhe edhe në funksion të një partneriteti më të madh me politikat dhe institucionet e BE-së që tani në mandatin e saj të një partie opozitare progresiste. Ne duhet të rrisim efikasitetin e opozitës në Parlament, ne duhet të imponojmë prioritetin e axhendës sonë në Parlament duke vënë në fokus sfidat e mirëqeverisjes dhe sfidat e integrimit të vendit. Aty në Parlament ne duhet të kushtëzojmë konsensusin e votës me rritjen e transparencës së votimeve, si një parakusht themelor për demokracinë europiane. Kritikat për bojkotin, kërkesa për pjesëmarrjen në Parlament janë në thelb të dallimit të qëndrimeve dhe përgjegjësive tona publike dhe partiake me një pjesë të lidershipit të PS-së. Ky dallim duket se po thellohet. Respektimi i vendimeve të shumicës numerike në forumet e PS-së, nuk janë dobësia jonë, por përgjegjësia dhe përkushtimi ynë për të ndikuar pozitivisht te kolegët tanë në eliminimin e qëndrimeve bojkotuese dhe radikalizuese që po ndodhin në PS. Deklarimi se demokracia është votë dhe se disa kanë shumicën numerike në forumet e PS, është shqetësues, jo vetëm për krenarinë me të cilin i paraqitet socialistëve të thjeshtë dhe opinionit publik, por për koston e rëndë që i krijon funksionimit demokratik të PS. Arroganca e shumicës numerike rrezikon të jetë sëmundja e pashërueshme e qeverive jodemokratike sidomos në vendet që për dhjetëra vjet shpresojnë një ditë të ndihen pjesë reale e standardeve të demokracive moderne.
Sipas mendimit tuaj, tashmë që komunikimi institucional mes palëve ka rihyrë në krizë, çfarë mund ta ndërmjetësojë një zgjidhje të mundshme? A ka vend për një rol të ri të Presidentit, apo edhe faktorëve të tjerë me ndikim në jetën politike shqiptare, përfshirë Fatos Nanon?
Po, e them me bindje dhe me përgjegjësi, që për kontribute pozitive ka vend për të gjithë, aq më shumë ka vend për politikanët që kanë kontribuar në këtë tranzicion të vështirë. Ka shumë vend për njerëzit e mençur dhe të përgjegjshëm të vendit tim. Ka vend për ish-personalitetet politike dhe akademike të vendit tim. Ka vend për biznesin vendas dhe të huaj në Shqipëri që paguajnë kostot e krizave politike. Ka vend për më shumë influencë pozitive të opinionit publik, që është viktima e parë e grindjeve dhe krizave politike. Ka më shumë vend për partnerët tanë ndërkombëtarë që të qartësojnë mesazhet dhe të kushtëzojnë mbështetjen publike dhe jopublike në raport me përgjegjshmërinë e politikanëve tanë për vendin e tyre, si rruga më e mirë për të qenë partner kredibël dhe të dobishëm në bashkëpunimet bilaterale, rajonale dhe globale.
Besoni se vijimi i kësaj situate do të ndikojë realisht mbi procesin e integrimit të Shqipërisë (në kuptim të afateve) dhe sidomos mbi procesin e liberalizimit të vizave?
Për mua është e trishtueshme ajo çfarë po konstatohet sot në Greqi, Spanjë, Portugali, Rumani dhe Bullgari. është koha ta shikojmë me syhapur ëndrrën tonë për integrim europian. Përfundimisht sot është më e qartë se kurrë se anëtarësimi në NATO dhe BE nuk janë formula magjike për zgjidhjen e grindjeve dhe krizave tona tradicionale. Integrimi mund të rrisë cilësinë e setit të analizave për sëmundjet e demokracisë dhe ekonomisë të çdo vendi. Ky proces të siguron setin më të plotë dhe më të thellë të analizave dhe të ofron ilaçet më të mira për t’u shëruar nga këto sëmundje. Disa kura janë të hidhura (siç janë zakonisht ilaçet), disa kura zgjasin gjatë kur pacienti edhe pse ka pasur dhimbje i është trembur vizitës së mjekut dhe sëmundja ka përparuar thellë. Sëmundjet dhe krizat përkeqësohen kur pacienti me vetëdije ose nuk i pi ilaçet ose i hedh ato sapo largohet mjeku.
Pas dështimit të heqjes së vizave njëkohësisht me vendet e tjera të Ballkanit, ndoshta tani ka më shumë mundësi për t’i përfituar ato pa shumë vonesa të reja. Përfitimi i vizave është një moment historik, është shumë i domosdoshëm për një vend që ka në emigracion rreth 30% të popullsisë së tij… Nga pikëpamja e përfitimeve ekonomike dhe sociale afatgjata vetëm liberalizimi i vizave i pashoqëruar me përfitimin e statusit të vendit kandidat, nuk i maksimizon dot përfitimet e proceseve integruese. Komisioneri Fule paralajmëroi se kjo krizë do të vonojë përfitimin e statusit të vendit kandidatë të BE-së. Në këtë realitet politik, vendi ndodhet në udhëkryq, jo thjesht sepse një demokraci në Europë nuk po funksionon, por sepse po rrezikohemi që një demokraturë të shndërrohet në diktaturë. Një gjë është e qartë, aq më tepër për një vend si Shqipëria, sa më e gjatë kriza jonë politike aq më e gjatë kriza ekonomike e sociale, aq më e thellë varfëria e lirive politike dhe ekonomike të çdo shqiptari.