E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thërrimet e buxhetit për projektet prioritare

Emirjon Senja

Më shumë se prerja e shiritave, investimi në ndërtimin e rrugëve është ajo çka hasim përditë në qarkullimin tonë nëpër atdhe. Janë mjaft segmente rrugore, në të cilat zhvillohen punime prej më shumë tre, katër apo pesë vitesh dhe gjasat janë që të vijojnë edhe për një kohë të gjatë. Kjo për shkakun e vetëm: Qeveritë ndajnë shuma të pakonsiderueshme parash në buxhet, të cilat nuk mundësojnë përfundimin e tyre brenda një periudhe të pranueshme.

Shembulli konkret është rruga Plepa-Rrogozhinë. Prej më shumë se pesë vitesh, segmente të ndryshme të kësaj rruge vijojnë të jenë të hapura duke u bërë shkak për trafik të renduar gjatë muajve të verës, por edhe për aksidente. Një vit më parë, një automjet u përplas me makineritë e kompanisë që zhvillon punimet e rrugës pranë Malit të Robit në Kavajë. Drejtuesi humbi kontrollin nga kushtet e këqija atmosferike, punimet në rrugë dhe mungesa e sinjalistikës për shkak të tyre. Bilanci? Një viktimë dhe tre të plagosur rendë.

Rrugët e hapura kur punimet vijojnë për muaj e vite me radhë janë të shumta. Sigurisht që përfundimi i punimeve do të jetë i largët kur për një projekt jepet vetëm 4 për qind e vlerës totale të tij. I tillë është projekti për një segment të rrugës ë Arbrit, ku ekzekutivi ka ndarë shumë minimale në raport me vlerën e tij. Nëse ecët me këto ritme, duke financuar 4 për qind të vlerë çdo vit, përllogaritet që punimet në këtë rrugë të përfundojnë pas 24 apo 25 vitesh!!

Shumë më e mirë është ecuria në projektet me financim të huaj. Rasti i rrugës Tiranë-Elbasan, i financuar nga dy banka të huaja është më domethënësi. Projekti ka një vlerë 12.1 miliardë lekë, para të cilat janë vënë të gjitha në dispozicion.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›