E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skaut-Tirana, për më të mirën time

Xhek Preçetaj

Premtoj të bëj më të mirën time ndaj familjes, të afërmve dhe vendit tim sipas ligjit Skaut, duke kryer çdo ditë të paktën një veprim të mirë. Premtimi i Skautëve.

Numërohen më shumë se 28 milion Skaut, fëmijë dhe të rritur,meshkuj e femra, në 160 shtete dhe vende në botë. Skautizmi, përfaqësuar nga Lëvizja Botërore e Skautizmit është një lëvizja më e madhe rinore mbarë botërore. E lindur në 1907 si një kamp në natyrë në Angli me nismën e atij që njihet si themelues i Skautizmit: Lord Baden Pauell, shpejt kjo alternativë u përhap në shumë shtete të Europës duke përfshirë jo vetëm djemtë por edhe vajzat e moshave të ndryshme dhe në 1920 ky propozim aktivitetesh në natyrë erdhi edhe në Shqipëri, por nga ajo kohë deri në periudhën e komunizmit nuk dihet shumë, kurse përgjat komunizmit kjo lëvizja u mbyll për tu rihapur edhe njëherë pas viteve 90 me ndihmën e Skautëve Italian në projektin Volo daquilla. Lindën grupe Skaut në Sarandë, Shkodër e në vitet në vazhdim, sidomos pas 1998 disa grupe mbyllen e disa të reja lindin  në Tiranë, Lushnje, Durrës, Berat, Kuçovë, Vlorë. Deri në vitin 2010 më se 1100 të rinj e fëmijë kanë marrë pjesë në aktivitetet Skaut që propozonin këto grupe. Sot shpërndarja gjeografike ka ndërruar përsëri duke u shtuar me grupe të reja apo disa ne hapat e parë si në Boriç, Mamurras, Fier, Delvinë, Pukë e Dajç.

Unë kam një eksperiencë personale prej gati 16 vitesh në Skautizëm dhe shpresoj të vazhdoj edhe më tej, shprehet Maksel Shiti, njëri nga personat më të vjetër të grupit Skaut Tirana. Ai e sheh kët lëvisje si një formë edukimi joformal, bazuar në vullnetarizëm dhe metodologjinë. Ai shton mëpas për sa i përket vizionit skaut: Vizioni i Skautizmit është të krijuarit e një bote më të mirë. Për këtë si një tërësi vlerash përpiqet të edukojë fëmijët dhe të rinjtë të jenë qytetarë të mirë, si një forcë sociale, me kulturën e paqes dhe të luajnë rol aktiv e konstruktiv në shoqëri. Metoda Skaut parashikon mjete dhe instrumente që do të realizonin misionin dhe vizionin e saj.

I parë në pikpmajet e fëmive që marrin pjesë në to dhe të familjeve që i dërgojnë ato:

  1. Nga pikëpamja e fëmijëve dhe të rinjve, Skautizmi është tërheqës sepse i bashkon për të luajtur dhe realizuar ndërmarrje, u jep atyre një uniformë dhe i flet fantazisë së tyre për tu impenjuar në një jetë aktive në ajër të pastër.
  2. Nga pikëpamja e prindërve, Skautizmi është i mirëpritur sepse u siguron fëmijëve shëndet dhe zhvillim të mirë fizik. U mëson teknika, të jenë krijues, të aftë manualisht, u jep disiplinë, kurajo, sjellje të hijshme dhe i afron me mjedisin ku jetojnë, me pak fjalë zhvillon personalitetin e tyre.

Skautizmi në Shqipëri është i hapur për të gjithë dhe madje nxit zhvillimin multi dimensional e dialogun ndërfetar e ndërkulturor. Ekziston Shoqata e Skautëve në të cilën referohen të gjitha grupet lokale. Grupet vetë kanë një strukturë ku çdo fëmijë apo i rritur jeton aventurën skaut. Fëmijët nga 7-11 vjeç jetojnë lojërat dhe aktivitetet e menduara dhe programuar nga Shefat Skaut, me ambjentimin e historive të Librit të Xhunglës finalizuar me kampet verore në mjedise të sigurta dhe me kushtet e përshtatshme, në vende shumë të bukura si në Gjinar, Bizë, Vermosh,etj. Grupmosha e 11-15 vjeç jetojnë më tepër aventurën në natyrë. Çfarë mësojnë gjatë vitit e praktikojnë në Kampet verore që i montojnë vetë ata, duke fjetur në çadra, gatuar vetë, ekploruar natyrën, duke bërë eskursione dhe duke marrë pjesë në lojëra argëtuesë rreth zjarrit në mbrëmje. Pas këtyre aktiviteteve qëndrojnë Shefat të cilët me përgjegjësi dhe sipas metodës kujdesen për çdo aktivitet dhe i organizojnë këto në freskinë dhe bukurinë e Lëpushit, Llogarasë, Gjinarit, Tomorrit, etj. Aventura vazhdon me më tepër impenjim në fushat shoqërore për adoleshentët. Tipike dhe tepër intëresante është lloji i kampit veror që bëjnë ata: me çantat e mëdha, çadrat dhe thasët e gjumit për 7 apo 10 ditë përshkojnë në treking natyror zona të ndryshme të Shqipërisë. Eksperienca shumë të veçanta mund të tregojnë vajzat dhe djemtë të cilët bashkë me shefat e tyre kanë njohur vende dhe njerëz tepër të veçantë. Në veriun e Shqipërisë: në zonat e Valbonës, Pukës, Shkodrës; në jug në Përmet, Kanionin e Osumit, në Tomorr, Llogara, etj. Eksperienca të forta gjithshtu për ndihmën sociale që kanë dhënë këtë vit në zonat e përmbytura duke ndihmuar në pastrimin e shkollave që ishin përmbytyr në zonat veriore këtë vit, apo kujdesjen për fëmijët e braktisur,etj. 18-21 vjeç janë ndihmës shefat të cilët bashkë me shefat Skaut, mbi 21 vjeç, organizojnë në mënyra vullnetare aktivitetet për më të vegjlit dhe aktivitetet e tyre. Skautizmi nuk është një kurs alpinizmi apo grup paramilitar. Skautizmi ofron aktivitete të sigurta, jo të ekzagjeruara, të programuar dhe parashikuara në një program vjetor dhe javor, me objektiva të qarta; në këtë mënyrë çdo lojë, aktivitet apo eskursion nuk ka vetëm formë argëtimi por përshkohet nga një sistem i tërë vlerash.

E veçantë është edhe mënyra e të veshurit:uniforma Shqiptare parashikon pantallona gri, këmishë jeshile me distinktivët e qytetit, grupit, etj. dhe shallin Skaut që është shenjë përkatësie në Lëvizjen Botërore. Skautizmi duke qenë lëvizje rinore vullnetare nuk ka përfitime financiare, nuk paguhet për të bërë pjesë në të dhe aktivitetet mbulohen nga format e vetëfinancimit që grupet skaut zgjedhin dhe që nuk dalin jashtë kornizave të vlerave. Format më të shpeshta janë shitja e kalendarëve, shitja e byrzylykëve të bërë vetë, luleve të Krishtlindjes pranë Kishave Katolike, të cilat kanë nxitur zhvillimin e Skautizmit në Shqipëri,etj.  Shoqata e Skautëve bashkëpunon dhe është mbështetur vazhdimisht në marrdhëniet me Organizata me hapësira të përbashkëta veprimi si Këshilli Rinor Shqiptar, Organizata e Dhurimit Vullnetar të Gjakut, I Care, Projekti Italo-Shqiptar i Mbrojtjes Civile, Drejtoritë Arsimore dhe Institucionet laike e fetare, shtetërore e lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Ne dhjetor të vitit të kaluar Skautët morën çmimin e vullnetarizmit :Vullnetarët  humanitar 2010 nga Këshilli Rinor Shqipëtar , është rezultat i entuziazmit dhe impenjimit të 40 shefave skaut në të gjithë Shqipërinë por edhe e të gjithë fëmijëve, të rinjve, prindërve e miqve të Skautizmit. Aventura Skaut mirpret të rritur e fëmijë, adoleshëntë e të rinj të hidhen në këtë lojë të madhe. Çdo grup skaut është i hapur për tu dhënë mundësinë e të jetuarit me stilin Skaut të gjithëve. Shteg të mbarë të gjithëve, shprehja tipike skaut kur largohesh nga tjetri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›