E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrja e Biberajt

Aleksandër Biberaj e inkurajoi dhe pergezoi dje opozitën, për pjesëmarrjen në reforma, duke qenë në shërbim të të gjithë politikës në vend dhe jo në të mirë vetëm të qeverisë apo shumicës në pushtet. Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Biberaj, i tha “Korrierit”, se falë nivelit të lartë të bashkëpunimit, qëndrimi i opozitës ka ndikuar në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nga Shqipëria. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Biberaj, reformat duhet të vazhdojnë për interesat e vendit. Biberaj i tha gjithashtu dhe ATSH-së, se “reformat nuk i shërbejnë vetëm një mazhorance dhe qeverisë, por i shërbejnë gjithë spektrit politik, ndaj mesazhi për opozitën është që të jetë pjesë e reformave, siç ka qenë realisht gjatë këtij viti, pasi sinjalet e bashkëpunimit që ka dhënë opozita kanë pasur patjetër impakt pozitiv lidhur me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO”. Sipas tij, “marrja e ftesës për anëtarësim në NATO do të ketë obligime për Shqipërinë, e cila duhet të vazhdojë në rrugën e reformave dhe bashkëpunimi me opozitën do të jetë një element i rëndësishëm në këtë drejtim. Ne duhet të vazhdojmë në rrugën e reformave për kodin elektoral dhe sistemin e drejtësisë, si dhe në reforma të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Biberaj. Në këtë drejtim, deputeti Biberaj vuri në dukje se “opozita mund të ketë pasur disa reagime emotive, nisur nga ngjarja e Gërdecit, por shpresoj se ajo do të jetë bashkëpunuese, pasi bashkëpunimi është në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve”. “Nuk mund të kuptoj një qëndrim të tillë të një opozite që nuk ofron bashkëpunim për reformat, që realisht janë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mendoj se opozita, pavarësisht se mund të ketë pasur disa reagime emotive, do të jetë pjesë e reformave, sepse dihet që reformat u shërbejnë të gjithëve, sidomos reforma të tilla siç janë reformat në sistemin e drejtësisë dhe reforma elektorale, që i shërbejnë vendit për dekada të tëra”, tha Biberaj. Sipas tij, “në rast se opozita nuk bashkëpunon me mazhorancën, do të thotë që ajo do t’i kthehet modelit të vjetër të të bërit opozitë, model që nuk është në interes të askujt”. “Kjo nuk i shërben askujt, aq më tepër që po bëhemi gati për zgjedhjet e vitit 2009, zgjedhje të cilat patjetër duhet të jenë të lira e të ndershme, në mënyrë që të prodhojnë stabilitet politik dhe një mazhorancë të qëndrueshme”, tha Biberaj. Në këtë drejtim, ai konfirmoi angazhimin e mazhorancës për të siguruar një infrastrukturë zgjedhore të përshtatshme dhe konkretisht, angazhimin për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›