Delijorgji dhe Pinari, shokë dhome

TIRANË - Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari “kontraktualë” edhe në qeli. Dhe në mos i lidhtë ndonjë miqësi e vjetër, ashtu siç pretendon Mihal Delijorgji, tashmë i duhet të durojnë “huqet” e njëri-tjetrit dhe të ndajnë hapësirën e ngushtë të qelisë së paraburgimit në burgun 313. Biznesmeni multimiliarder, të paktën sipas pronave që ka sekuestruar prokuroria deri më tani, dhe drejtori i “Meico”-s që nuk kishte deklaruar pak, por rreth 17 shtëpi nën pronësi të tij në deklaratën e tij të pasurisë, mësohet se qëkur janë transferuar nga qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në ato të burgut 313, ndajnë qelinë së bashku. Ndërsa drejtori i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxholli, është vendosur në një qeli me dy të paraburgosur të tjerë. Sipas burimeve nga burgu 313, gjendja e tre të arrestuarve është mjaft e mirë dhe deri më tani nuk kanë shfaqur asnjë problem. Fillimisht, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Pinari, Delijorgji dhe Minxolli u lanë të tre së bashku, por pas dhënies së masës së sigurisë nga ana e gjykatës, treshja e të arrestuarve të Gërdecit u ndanë. Ndërkohë, deri më tani ata janë takuar nga avokatët e tyre, si dhe nga përfaqësues të grupit të parë hetimor që u morën me zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Në takimet me mbrojtësit e tyre ligjorë të arrestuarit e deritanishëm të ngjarjes së rëndë të 15 marsit kanë dhënë alibitë e tyre rreth gjithçkaje që ka ndodhur para kësaj date si në lidhje me kontratat e bëra mes palëve, ashtu dhe në ndarjen e përgjegjësisë në lidhje me tragjedinë që iu kushtoi jetën 22 personave dhe rreth 250 të tjerëve plagosje të ndryshme.