E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrje për njohjen e kryengritësve libianë

Nga Express më 11 mars 2011 në ora 15:30

Franca dhe Britania, kanë ftuar Bashkimin Evropian ta njohë Këshillin e rebelëve të Libisë si entitet të vlefshëm politik.

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, dhe kryeministri britanik, David Cameron, në një letër të përbashkët, thanë se është bërë e qartë se regjimi i Gadafit e ka humbur legjitimitetin dhe se ai dhe grupi i tij duhet të largohen nga pushteti.

Kriza në Libi do të jetë në krye të agjendës të samitit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po synon të tërhiqet nga komentet që i ka bërë shefi i inteligjencës së SHBA-së, Xhejms Klaper, se regjimi i Muamer Gadafit në Libi, me gjasë “do të mbizotëroj” në luftën kundër forcave kryengritëse.

Këto komente ai i kishte bërë në një dëgjim në Senatin amerikan.

Zoti Klaper tha, po ashtu, se nuk ka indikacione se Gadafi do të tërhiqej dhe do të ofroj një zgjidhje të shpejtë të krizës. Ai ka shtuar se forcat e Gadafit janë më mirë të pajisura se kryengritësit.

Tom Danilon, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Obama, më vonë e ka kritikuar analizën e zotit Klaper si “statike dhe vlerësim njëdimenzional”.

Danilon tha se izolimi ndërkombëtar i Gadafit dhe përkushtimi i popullit të Libisë, për ta përmbysur Gadafin, mund të kenë rëndësi madhore në finalen e ngjarjeve në Libi. (rel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›