Thoma Simaku çon motive të Jugut në Belgjikë

Juria ndërkombëtare e festivalit “Ditët e Muzikës Botërore 2012”, i cili do të mbahet në Belgjikë, nga data 25-31 tetor, ka shpallur emrat e kompozitorëve të përzgjedhur në konkurrim. Mes tyre, edhe kompozitori shqiptar, Thoma Simaku, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Angli. “Soliloquy V - Flauto Acerbo” është vepra që juria ka përzgjedhur nga kompozitori shqiptar, i cili është vazhdimisht i pranishëm në skena të ndryshme të botës. “Jam i gëzuar që juria ka përzgjedhur për këtë festival edhe një vepër timen.
E veçanta e këtij festivali është që përveç Brukselit, koncertet do të jepen edhe në pesë qytete të krahinës së Flanders, e cila ka lidhje të hershme me muzikën, me emra të tillë të shkollës franko-flamande si Orlando Lasso dhe Josquin de Pres. I organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Muzikës Bashkëkohore (International Society for Contemporary Music), ky është festivali më prestigjioz i muzikës së re në shkallë botërore. Që nga viti 1922, kur në Salzburg u mbajt edicioni i parë, ai organizohet çdo vit, në një nga vendet anëtare dhe në këtë cilësi është unik, sepse marrin pjesë kompozitorë pothuajse nga e gjithë bota”, shprehet kompozitori.
Sipas tij, kjo vepër është mbështetur plotësisht në motivet e Shqipërisë së Jugut. Instrumenti për të cilin është kompozuar vepra quhet “rekorder”, një instrument i lashtë dhe mjaft i përhapur në Europën Perëndimore. Bach dhe Vivaldi, dy personalitete të muzikës, kanë kompozuar vepra për këtë instrument. Tingulli i tij (që në italisht quhet ‘Flauto Dolce’) ngjason shumë me fyellin tonë.
Me këtë pjesë, kompozitori Simaku mori çmimin “Kompozitori i Vitit” në 2009-n, nga Akademia Britanike e Kompozitorëve (BASCA), të cilën juria, në mënyrë të njëmendët, e cilësoi si një vepër vizionare dhe krejtësisht origjinale. “Niveli i instrumentistëve sot është me të vërtetë mahnitës. Kohët e fundit kam bërë një version për flaut të kësaj vepre, të cilin në datën 9 shkurt e interpretoi në Athinë flautistja ruse Iwona Glinka. Besoj që një ditë, vepra do të luhet edhe në Shqipëri”, thekson Simaku.
Kjo është hera e nëntë që juritë ndërkombëtare të këtij festivali kanë zgjedhur veprat e kompozitorit shqiptar. Më 1995-n festivali u zhvillua në Essen të Gjermanisë, ku Simaku u përfaqësua me veprën “Epitaf” për orkestër harqesh, ku për herë të parë në historinë e muzikës shqiptare zgjidhej një vepër në këtë festival.
Më vonë, vepra të tjera u përzgjodhën në festivalet që u zhvilluan në Bukuresht më 1999-n, Luksemburg në vitin 2000, Yokohama të Japonisë më 2001, në vitin 2003 në Slloveni, në Zvicër më 2004, në vitin 2005, në festivalin e zhvilluar në Kroaci dhe në Shtutgart më 2006-n. Koncerti i ardhshëm ku do të interpretohet një vepër e Simakut është York i Anglisë, ku edhe kompozitori jeton e punon.