E Shtunë, 31 Tetor 2026

IAEA vazhdon vizitën në Iran

Inspektorët bërthamorë të Kombeve të Bashkuara janë duke vazhduar vizitën në Iran, pas shqetësimeve në rritje mbi aktivitetin bërthamor të Teheranit.

Kjo është vizita e dytë në më pak se një muaj e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), të cilët shpresojnë të takojnë shkencëtarët atomikë të Iranit dhe të vizitojnë kompleksin ushtarak Parçin.

Ky i fundit dyshohet se strehon një strukturë sekrete bërthamore, që përdoret për programin bërthamor të Iranit, pretendime që hidhen poshtë nga Republika Islamike.

Inspektorët e IAEA-së kanë vizituar Parçinin në vitin 2005, por jo të gjitha zonat me interes brenda kompleksit.

Vizita e IAEA-së vjen pak ditë pasi Irani ka bërë publike ato që i quan "avancime në programin e tij bërthamor".

Ajo vjen po ashtu në kohën kur Republika Islamike ka nisur stërvitjet për mbrojtje ajrore në jug të vendit.

Ndërkohë, Ministria iraniane e Naftës ka tërhequr vërejtjen se ndërprerja e eksportit të naftës për Francën dhe Britaninë, mund të zgjerohet edhe ndaj vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

BE-ja i ka hedhur poshtë këto kërcënime.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›