E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thomas Bernhard për zakonet e njeriut me kamxhik

Premiera absolute e veprës së autorit austriak, Thomas Bernhard. Regjisori Christian Papke: "Tek "Forca e zakonit" ne diskutojmë ankthe, mani, një gjendje që vetëm një hap e ndan qenien tonë nga normale në neurotike. Dhe sjellja neurotike është një nga sëmundjet e shekullit të 21-të".


Kërkojnë pak përulësi të lexuesit, në këtë rast të spektatorit, autorë si Thomas Bernhard. Jo vetëm si autori austriak (1931-1989) i njohur ndërkombëtarisht si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, por ngaqë përballja e parë me një shkrimtar, në këtë rast me një dramaturg, ka rëndësi, sepse vendos fatin që do të ketë vepra e tij tek lexuesi shqiptar i një gjeografie specifike me jo shumë përvojë leximi të letrave të shekullit të njëzetë.


Ky autor vdiq në një vit simbolik për Evropën, më 1989-ën, por kjo s'hyn tek motivet përse "festohet" 20-vjetori i vdekjes së Bernhardit, i cili meriton pak përulësi në këtë premierë absolute që do të ketë më 20 qershor vepra e tij "Forca e zakonit", sipas "leximit" që i ka bërë regjisori austriak, Christian Papke.


Komedia me tri akte, e përkthyer nga origjinali gjermanisht nga Jonila Godole (Godole ka sjellë tashmë në shqip një fragment nga "Italiani" i Bernhard), nuk është një tekst i lehtë as për t'u dëgjuar dhe as për të parë një "histori".


Aspak. Kryepersonazhi, një drejtues cirku, i quajtur Caribald, vuan nga "rënia e përqendrimit". Ai është një trup i kalbur (një këmbë e ka druri) me shpirt të helmatisur.


Si drejtues cirku ai e ka varur veten tek kamxhiku dhe si njeri tek pamundësia për luajtur në kuintet me trupën e tij, me të mbesën, me zhonglerin, me zbutësin e kafshëve dhe gaztorin, një Shubert, "Kuintetin e troftave".


Caribald-i, ashtu siç sugjeron emri i tij, është një tiran i trupës së tij, tiran shëndetlig, sipas të cilit, këtë botë e sundojnë i sëmuri dhe sakati më njërën anë dhe, më anë tjetër, ajo që kërkon kjo botë është perfeksioni:


"Shoqëria përjashton kë i del kundër". Ja përse ky filozof me kamxhik ka krijuar nëpërmjet kësaj gjuhe marrëdhënie të pashqitshme me viktimat e tij, të cilët nëse nuk e adhurojnë akoma, nuk ikin dot prej tij. Aq sa mund t'i ikësh një zakoni.


Interpretojnë aktorët Vasjan Lami, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Sueda Hoxha, Elton Çefa. Ndërkohë, Papke dha për "Shekulli"-n këtë intervistë, ndërsa dritat e sallës së Teatrit Kombëtar ishin shuar dhe skena kishte pamjen e një vendi familjar, të zverdhur nga zakoni i të jetuarit në marrëzi, sëmundje, frikë.

Kush është Christian Papke?


Kam lindur në Zvicër nga prindër austriakë, kam jetuar në Brazil, në Francë etj., dhe tani po punoj në Tiranë. Po të më pyesësh mua për veten time, do të përgjigjem se jam pak nga të gjitha.


Kur isha fëmijë, mendoja se ishte shenjë dobësie që nuk dija me cilën skuadër futbolli të isha, sepse kam jetuar në kaq shumë vende. Vetëm tani kam kuptuar që të mos jem nacionalist, që të mos kem ndonjë patriotizëm aq të fortë.


Ju keni studiuar teatër qyshkur dhe pse?


Kam studiuar plot gjëra: letërsi, filozofi, psikologji, ekonomi, studime sociologjike dhe... teatër. Fillimisht mendoja për një karrierë akademike, për t'u bërë profesor. Mendoja se dija ka kuptim vetëm nëse bashkon disa disiplina dhe, nëse je specialist vetëm në një drejtim je budalla, në kuptimin që nuk je i aftë për të ndryshuar perspektivën.


Është bukur kur një çështje e vështron nga aspekte të ndryshme. Kur shkruaja doktoraturën time, pata një përvojë shumë të bukur me një regjisor teatri, Gerald Thomas. Ishte kaq i fortë efekti i punës me të, të bëje teatër në Amerikën Latine, në Brazil, në San Paolo, aq sa më ndryshoi qëllimin e jetës sime.


Atëherë thashë: kam dëshirë të arsyetoj për gjërat, dua të bëj diçka. Nuk dua të diskutoj për artin, dua të bëj art. Kështu, mora vendimin për t'u marrë me teatër.

Çfarë keni bërë deri tani?


Një dramaturg austriak i shekullit të 19-të, Arthur Schnitzler, thotë: "We always play-act and he's wise who knows it" (ne bëjmë gjithmonë teatër, lum kush e kupton këtë). Ndërsa Peter Brook thotë: "Nëse keni dy njerëz, njëri që kalon në rrugë dhe tjetri që e vështron, kjo tashmë është teatër".

Po ju, ju çfarë mendoni?


Unë them pikërisht se ndërmjet këtyre thënieve mund të ndërtosh një urë. Nuk jam dishepull i artit për art, por kur flas për teatrin, dëshiroj të tregoj një histori, me qëllimin për të rrëfyer diçka. Që të rrëfesh diçka duhet të kesh një mesazh për të përcjellë.


Terr rreth nesh ka me bollëk dhe them se është mirë që kohë pas kohe të shohim, të prekim pak dritë. Është bukur që kur vjen në një teatër si ky arrin të marrësh diçka, jo vetëm zbavitje, por ndoshta diçka më shumë, pak paqe, pak diçka, për të cilën ju do të keni për çfarë të mendoni.


Me këtë që thatë, u dhatë përgjigje tri pyetjeve. Duke iu referuar pikëpamjes së mësipërme për teatrin, çfarë do të tregoni me "Forcën e zakonit" të Thomas Bernhardit dhe a keni marrë në konsideratë traditën e kësaj skene, ku së fundi ka pasur shumë komedi?


Kjo është një nga veprat e hershme të Bernhardit, shkruar më '73-in. Shfaqja është dhënë për herë të parë më 1974-ën. Është vepra e katërt që ka shkruar dhe e vetmja që ai e ka stërshkruar, stërpunuar në zhanrin komedi. Kështu që besoj se i shkon repertorit (qesh).


Por, sigurisht, për mua kjo është një lojë, një rreng. Po ta lexosh, do të shohësh që kjo vepër nuk ka aspak shaka, nuk është komike. Unë do të përpiqem të tregoj një tragjikomedi, dhe nëpërmjet një historie të tregoj dy histori të ndryshme me anën tragjike dhe komike, njeriun që dëshiron njëherësh të njëmendësojë këtë ëndërr.


Mendoj se kjo është e bukura e veprës. Shekulli i njëzetenjëtë duket një shekull mizor. Duket shumë e vështirë vetëm pak po të çojmë ndër mend sa të aftë jemi t'i bëjmë realitet ëndrrat tona.


Ky njeri bëhet obsesiv, nuk gjen sukses dhe është i zemëruar. E njohim këtë fenomen, dimë gjithashtu se një zgjidhje ekziston, gjithmonë. Ky njeri ka harruar se si mund ta gjejë rrugëzgjidhjen dhe është bërë diktator, duke shtypur gjithkënd dhe duke abuzuar me të gjithë.


Karakteret e tjera në skenë duhet të binden. Por ata nuk janë shtazë, janë qenie njerëzore me inteligjencën e tyre të vërtetë dhe në mënyra të ndryshme ata kërkojnë rrugëzgjidhjet e tyre.


Secili ka për të na treguar si të luftojmë kundër dikujt, si t'ia dalim me dikë që shpërdoron pushtetin e tij. Kjo përfshin aspektin tragjik dhe komik të "Forcës së zakonit".

Përse keni zgjedhur këta aktorë?


Kam zgjedhur nga ata që më janë propozuar, ata që janë më shumë të përshtatshëm për rolin.


Sigurisht që si regjisor, ju keni vizionin tuaj dhe kërkoni ato tipe personaliteti të aktorëve, të cilët mund t'i përgjigjen dhe të plotësojnë pikëvështrimin tuaj estetik dhe intelektual, jo vetëm për aktrimin, por për veprën në tërësi.


Një nga aspektet e konceptit tim është rrëfimi i dy historive njëherësh, realizmi që lidhet me çfarë unë kam parë në skenën e teatrit, dhe absurditeti.

Nuk duhet të jetë e lehtë ruajtja e cilësive të tekstit të Bernhardit...
Gjuha, kjo është çështje strukture. Thomas Bernhard shkruan muzikë, jo tekst. Kjo është pak e vështirë për aktorët e këtij teatri, sepse nuk janë mësuar me një tekst si ky.


Ashtu siç thatë, se Bernhard vihet për herë të parë në skenë, unë shpresoj që njerëzit që do të hyjnë në teatër, të vijnë jo me qëllimin për t'u zbavitur, por me qëllim për të parë diçka të re dhe do ta kuptojnë që Bernhard-i e ka ndryshuar vërtet panoramën e teatrit të vendeve gjermanishtfolëse kur nisi karriera e tij. Pas tij, bota e teatrit në Austri, Zvicër dhe Gjermani, ndërroi.

Duket që ju e admironi...
Unë nuk e adhuroj. Ai ka gjithashtu edhe dobësitë e veta. Vepra që kemi zgjedhur, mendoj se është një nga më të mirat e tij, një vepër ku Bernhard-i akoma tregon një histori. Është historia e një drejtori cirku, i cili në vend që të bëjë cirk, do që të luajë muzikë klasike, muzikë dhome.


Është si një lloj terapie, sepse ai ka humbur përqendrimin dhe mjeku e ka këshilluar ta bëjë këtë. Por, më vonë, në krijimtarinë e tij, Bernhard-i humbet interesin për të treguar histori.


Ai fillon të krijojë laqe me gjuhën, përsëritje të fjalëve. Kjo është tipike qysh në fillimet e deri në fund të krijimtarisë së tij, por në pjesën e dytë të rrugëtimit të tij, ky orientim bëhet më i fortë dhe gjithnjë e më i rëndësishëm, sepse përherë e më shumë ai zemërohet me shoqërinë dhe ai i përsërit, i përsërit, i përsërit fjalët në skenë, me qëllimin që t'ju bëjë të kthjellët.


Ju si publik mund ta injoroni njëherë kur jeni i ulur përballë një vepre të tij, mund ta injoroni për së dyti, por ai ka për t'jua thënë njëzetë a tridhjetë herë të njëjtën fjali, derisa ta kuptoni. Këtë prirje e gjejmë edhe tek vepra në fjalë, por jo në masë aq të ekzagjeruar. Tek "Forca e zakonit" ne diskutojmë ankthe, mani, një gjendje që vetëm një hap e ndan qenien tonë nga normale në neurotike.


Dhe sjellja neurotike është një nga sëmundjet e shekullit të 21-të. Duhet ta pyesim veten PSE. Por edhe Bernhard vetë do të bëhej disi neurotik dhe obsesiv për gjuhën. Prandaj e kam pëlqyer këtë vepër, sepse ka një histori që njëherësh mund ta shijosh dhe ai mund të na flasë me inteligjencën e tij duke luajtur me gjuhën.


Po ta krahasojmë me ata që para Bernhard-it shënuan kthesë në teatrin botëror, Beckett-in, për shembull?


Është gabim i historisë së letërsisë, e cila gjithnjë përpiqet të vendosë dikë në një farë klasifikimi, mua nuk më pëlqen kjo gjë. Por mund t'ju them se ajo që do të shihni më 20 qershor, do të lidhet dhe ndoshta kjo është perspektiva ime e të lexuarit të këtij teksti, dhe do ta vendosë Bernhard-in pranë Beckett-it dhe çështjeve të ekzistencializimit.


Kam ndryshuar shumë estetikën që ai mund të ketë pasur në mend ndërsa shkruante "Forcën e zakonit", kur flasim për skenografinë, për historinë që tregojmë, për mënyrën se si e tregojmë. Me këtë ndoshta ju përgjigja disi edhe pyetjes suaj.

Për çfarë jeni i interesuar të kërkoni dhe të sillni në teatër?


Për një pikëpamje moderne të teatrit. Ajo që vlerësoj në disa vende të Evropës Juglindore, është fakti se ju keni një audiencë shumë të re, diçka që po mungon, po humbet në Gjermani dhe Austri.


Pse ndodh kjo?


Duke parë letërsinë dhe teatrin në shumicën e vendeve të Evropës Qendrore, gjithnjë i kam parë anën e mirë që të gjeja një argument pse janë më të mirë se të tjerët. Them se kjo është mënyra më e gabuar dhe nuk është më tërheqëse për brezat e rinj dhe është shumë mirë kur nuk është më tërheqëse për ty dhe për mua.


Por, ne duhet të gjejmë diçka tjetër për të propozuar, duhet të gjejmë mënyrën si të komunikojmë me audiencën, në formë të tillë që të na kuptojë. Qëllimi nuk është që të gjejmë vetëm një mënyrë joshëse, sepse gjithçka po bëhet dita-ditës më argëtuese dhe kur televizioni është i gjithpranishëm, na duhet të gjejmë pak përmbajtje, sepse shpesh përmbajtja mungon.


Sa shpesh shkoni në teatër?


Jo shumë shpesh, sepse gjithnjë punoj për disa projekte njëherësh. Aktualisht po punoj për katër projekte në katër vende të ndryshme, Gjermani, Austri, Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë. Jam gjithnjë me ngut dhe kjo mbase nuk është gjë e mençur. Nuk është mençuri të vraposh shumë shpejt, por e tillë është situata ku e kam vendosur veten për momentin dhe ky është një moment specifik.


Pastaj, programi im në lidhje me teatrin është i ngarkuar deri në mbrëmje vonë. Edhe në vendin tim unë nuk shkoj shpesh në teatër, por kur udhëtoj mundohem të shoh diçka të re, e cila imponon dhe ka ndikim tek unë.


Kam parë shfaqje magjepsëse në gjuhë që s'u kuptoj një fjalë të vetme, sepse ashtu si ai njeriu që humbet dëgjimin, shqisat e tjera bëhen më të ndjeshme, më të forta.


Po kujdesem që t'u kushtoj përherë e më shumë rëndësi anëve jo verbale të asaj që ndodh në skenën e teatrit. Them se fjala është vetëm maja e ajsbergut, por aspektet jo verbale të komunikimit, gjithçka që ndodhet nën ujë, është shumë herë më e rëndësishme.


Duket se teatri ynë po vonon të komunikojë në këto nivele jo verbale...
Këtë e thoni ju, jo unë.

Në Festivalin e Fierit, për shembull, u është dhënë rasti të shini me bollëk teatër shqiptar.
Isha në juri dhe kisha mundësi të shihja shumë në një kohë të shkurtër.


Festivali po përpiqet të gjejë mundësitë për t'u bërë më ndërkombëtar dhe kjo është shprehje e dëshirës për të hapur horizonte, kjo është e rëndësishme, për të vështruar përtej dhe për të ndërtuar ura komunikimi. Kurse aktorët, në shumicën e rasteve, punonin më shumë në mënyrë klasike.

Si ju tingëllon shqipja?


Ju e dini më mirë se unë se gjuha shqipe ka një tingëllimë të veçantë. Nisur nga kjo, e perceptoj si një gjuhë të fuqishme, shumë melodike, ritmike dhe hera herës, kur gra të bukura flasin shqip, është një lloj magjie.

Ju folët qëparë për një absurditet shqiptar, për çfarë e kishit fjalën?


Në jetën e përditshme shqiptare gjej një absurditet që më përshtatet shumë mirë. Sot në mëngjes, kur po u shkruaja një mesazh prindërve të mi, u thosha: shpresoj të jeni mirë. E dini çfarë? Është si në Brazil këtu në Shqipëri. Unë jam rritur në Brazil.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›