Dade: Konsulli në Janinë, fushatë për Spiro Kserën
GJIROKASTËR- Akuza të ashpra janë lëshuar nga kandidatja socialiste për qarkun e Gjirokastrës, Arta Dade, në drejtim të konsullit shqiptar në Janinë.
Sipas saj, ditët e fundit, Eshref Shehu është duke kryer një skandal tepër të rëndë diplomatik, pasi është bërë pjesë e fushatës elektorale në favor të kandidatit demokrat Spiro Ksera. Këtë rast, kryesuesja e listës së Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës ua ka bërë të ditur edhe përfaqësuesve të ODIHR-it.
"Konsulli shqiptar në Janinë, Eshref Shehu, ka lënë zyrën dhe emigrantët të presin për nevoja të ndryshme, që mund të kenë dhe i ka marrë fshatrat e Tepelenës me radhë dhe nuk ka lënë fushë e mal për të bindur barinjtë të votojnë për Spiro Kserën, që ka manifestuar vërtet në mjaft momente anti-shqiptarizmin e tij dhe për të cilin jam e sigurt që as në Dropull nuk do të marrë vota, pasi kjo zonë ka votuar për Vangjel Tavon. Dhe meqë i kanë mbetur nja 150 vota, ka nevojë për zotin konsull të Shqipërisë në Janinë.
Është një skandal edhe diplomatik, sepse diplomatët janë të depolitizuar, por jo diplomacia e Sali Berishës",- është shprehur Dade. Deklaratat e kandidates socialiste janë bërë gjatë një takimi të zhvilluar me veteranë dhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëve në qytetin e Gjirokastrës.