E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: Shqipëria burim trafiku njerëzor

Raporti i qeverisë amerikane rendit vendin tonë në një nivel me Afganistanin. "Qeveria shqiptare nuk përmbush standardet"


UASHINGTON- Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar dje raportin "Trafiku njerëzor në vitin 2009" ku përfshihen 173 shtete te botës. Shqipëria renditet në grupin e vendeve të dyta, pra në vendet ku numri i personave të trafikuar është i lartë duke u krahasuar me Afganistanin, Armeninë, etj.


"Shqipëria është një shtet burim i trafikimit të burrave grave dhe fëmijëve për keqpërdorim seksual dhe punë të detyruar madje edhe për të kërkuar lëmoshë". Viktimat shqiptare trafikohen në drejtim të Greqisë dhe Italisë po kështu edhe në Maqedoni, Kosovë, Spanjë, Francë, Britaninë e Madhe dhe në shtete të tjera të Europës Perëndimore.


Pjesa më e madhe e viktimave të trafikimit janë nën moshën 18 vjeç. Ndërsa viktima të prostitucionit janë femra të moshës mes 15 dhe 25 vjeç ku 90 për qind e tyre janë nga pakicat etnike. Fëmijët që trafikohen për të lypur në rrugë kanë si destinacion kryesor Romën.


Po kështu është evident fakti se djem të rinj, të mitur janë trafikuar për të punuar në agrokulturën greke, shtet kufitar me Shqipërinë",- thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tij, qeveria shqiptare nuk ka përmbushur as standardet minimale për të eliminuar trafikun njerëzor edhe pse shpeshherë ka bërë zotime se do ta bëjë këtë.


Nga ana tjetër Qeveria tregon politika në rritje në luftë kundër trafikut njerëzor sidomos vitin e fundit ku më shumë punë është bërë në identifikimin e viktimave. Kjo i përket më shumë ndalimit të trafikut të emigrantëve të paligjshëm. Një pjesë e raportit janë edhe rekomandimet përkatëse.


"Fuqishëm të hetojë dhe të ndjekë penalisht zyrtarët të implikuar në trafik. Fuqimisht të ndalojë trafikun njerëzor për punë, të të gjitha formave, të vazhdojë të punojë me NGO dhe organizata joqeveritare për të rekrutuar dhe trajtuar viktimat e trafikut",- thuhet në raport.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›