Thomas Bernhard, premierë absolute në Teatër
Për herë të parë në Teatrin Kombëtar, një komedi nga dramaturgu austriak, Thomas Bernhard. "Forca e zakonit" vihet në skenë nga regjisori austriak Chris Papke. Interpretojnë Vasjan Lame, Neritan Liçaj dhe Arben Derhemi. Një histori cirku në teatër
Për herë të parë, në skenën e Teatrit Kombëtar vjen një vepër e autorit të shquar austriak, Thomas Bernhard (1931-1989). Bëhet fjalë për tragjikomedinë "Forca e zakonit", e shkruar në vitin 1974. Është regjisori austriak, Chris Papke, ai që sjell në Shqipëri këtë premiere absolute me rastin 20-vjetorit të vdekjes së Bernhard-it. Puna për shfaqjen që ka premierën më 20 qershor, ka thuajse një javë që ka nisur.
Papke - i cili nuk ndodhet për herë të parë në Shqipëri, një muaj më parë ishte anëtar i jurisë së festivalit të aktrimit "Apollon" - nuk ka preferuar të ndjekë strukturën klasike të provave në TK, duke nisur punën menjëherë në skenë.
Zyra e shtypit pranë Teatrit Kombëtar bën të ditur se gjithë ekipi krijues ka ardhur nga Austria. Dhe kjo përfshin regjisorin, skenografin dhe kostumografin. Për momentin bëhet i ditur vetëm emri i regjisorit, Chris Papke, ndërsa ende nuk dihet emri i artistit që do të merret me skenën dhe kostumet. Por, që të dy këta artistë sjellin në skenën e Tiranës përvojën e kulturës së "Bundes theatre" të Vjenës.
Grupi i aktorëve është shqiptar. Të zgjedhurit janë Vasjan Lami, Neritan Liçaj dhe Arben Derhemi. Në skenë do të jenë edhe dy balerinë të Akademisë së Arteve.
Gjithçka ndodh në arenën e një cirku.
Një drejtor cirku ka një ëndërr në jetë. Ai do të ndërtojë një orkestër profesioniste dhe të luajë të paktën një herë të vetme, pa gabime, pjesën "Trout Quintet" të Schubert-it. Drejtori i cirkut, Caribaldi (Vasjan Lami), në pamundësi për të gjetur instrumentistë të mirëfilltë, tenton që të bëjë të tillë punonjësit e tij. Kështu, ai nis punën për të ndërtuar një orkestër muzikore, ku angazhon të gjithë artistët e cirkut. Madje edhe qenushët.
"Fuqia e zakonit" është një metaforë për eksperiencën njerëzore, për trullosjen e mendjes nga mërzia dhe nga rutina e së përditshmes në cirk.
Për të sjellë një panoramë më të plotë të asaj që ndodh në një cirk, Papke ka gërshetuar edhe muzikën dhe baletin. Në skenë do të ketë instrumente muzikore dhe një çift balerinësh.
"Jeta është një ëndërr e keqe, ku të gjithë njerëzit, në njëfarë mënyre, janë të sëmurë. Botën e udhëheqin invalidët dhe të sëmurët mendorë", - është shprehur Bernard-i për veprën e tij. "Dhe ne nuk jemi më të mirë se kafshët".
Thomas Bernhard u lind në shkurt të vitit 1931, në qytetin Heerlen, në Holandë.
Ai kaloi një pjesë të mirë të fëmijërisë me gjyshërit e tij në Vjenë, derisa e ëma u rimartua dhe u zhvendos në Vjenë.
Ishte gjyshi i tij, shkrimtari Johannes Freumbichler, ai që e nxiti Bernhardin drejt artit.
Veprat e tij, në pjesën më të madhe përshkohen nga ndjenja e të qenit i braktisur dhe nga sëmundja e tij e pashërueshme, e cila e bëri ta shihte vdekjen në thelb të ekzistencës. Aty gjen monologë të gjatë që trajtojnë vetminë. Këta monologë lexuesi nuk i gjen vetëm në dramat, por edhe në prozën e tij.
Vepra e parë e botuar e Bernhardit është ajo e vitit 1970, me titullin "Gargoyles", që ndiqet nga "The Lime Works" (1973), "Correction" (1979), "Concrete (1984)", etj. Ndërsa disa nga dramat e tij janë "The President" (1982), "Eve of Retirement" (1982), etj.
"Jeta është një ëndërr e keqe, ku të gjithë njerëzit, në njëfarë mënyre, janë të sëmurë. Botën e udhëheqin invalidët dhe të sëmurët mendorë", - është shprehur Bernard për veprën e tij. "Dhe ne nuk jemi më të mirë se kafshët".
Drejtori i Monumenteve, Valter Shtylla: "Ka filluar fushata elektorale dhe kjo çështje mund të zmadhohet për motive politike"
Ministria e Kulturës: Grup pune për akuzat ndaj punimeve në Pazar
Pak ditë pas alarmit që hodhën në shtyp specialistë të monumenteve, Artan Shkreli dhe arkitekti Maks Velo, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vendos të dërgojë një ekip ekspertësh në Korçë.
Drejtor i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare pranë kësaj Ministrie, Olsi Lafe, thotë se në Institutin e Monumenteve të Kulturës është dërguar një kërkesë për ngritjen e një grupi ekspertësh, të cilët do të verifikojnë ndërhyrjen në bllokun e ndërtesave në Pazarin e Korçës.
Ndërsa drejtori i Institutit të Monumenteve, Valter Shtylla, thotë se brenda këtyre dy ditëve do të niset një grup prej 3-4 personash, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, që do të shohin se çfarë po ndodh me këto objekte. "Institucioni ynë ka për detyrë hartimin e projekteve të restaurimit dhe kontrollin e punës", - u shpreh Shtylla.
"Projekti për restaurimin e një pjesë të pazarit - nuk mund të restaurohet i gjithi njëkohësisht, sepse duhen shumë të mëdha - është miratuar nga Ministria në fillim të vitit dhe projekti për këtë restaurim është hartuar nga Instituti i Monumenteve".
Ndërsa, për sa u përket akuzave se Pazari po restaurohet nga njerëz, të cilët nuk janë ekspertë në këtë punë, Shtylla u përgjigj se është Drejtoria Rajonale e Korçës ajo që ka akorduar tenderin për restaurimin e një pjese të Pazarit.
"Drejtoritë rajonale kanë inxhinierë dhe drejtorë që në bashkëpunim me sektorët përkatës hartojnë projektet. Ndërsa restaurimet i bëjnë firmat e licencuara për restaurime", - u shpreh ai.
Shtylla shton se duhet pasur parasysh faktin që ka filluar fushata elektorale dhe kjo çështje mund të zmadhohet për motive politike. Përgjigjja zyrtare se çfarë po ndodh me Pazarin e Korçës, do të jepet pas inspektimit njëditor që ekspertët do të kryejnë në Korçë.
Pazari i Korçës është ndërtuar në fillim të shekullit të XVIII. Në shekullin e XIX, në këtë Pazar kishte rreth 300 dyqane dhe zeje. Në këtë periudhë Korça kishte marrëdhënie tregtare me disa nga qytetet më të zhvilluara të kohës, si Stambolli, Janina dhe Manastiri.
Teatri Kombëtar, në familjen e teatrove të Evropës
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, së bashku me regjisorin Adonis Filipi, janë dy anëtarët e delegacionit që do të përfaqësojnë Shqipërinë në mbledhjen e radhës së Unionit Evropian të Teatrove.
Sot ata nisen për të marrë pjesë në takimin që realizohet në Drezden të Gjermanisë, më 21-31 maj. Në këtë asamble, Teatri Kombëtar do të bëhet anëtar me të drejta të plota i këtij bashkimi teatrosh.
Duo pianosh, Kanazawa - Admony në Akademinë e Arteve
Në Akademinë e Arteve, sot, orën 20:30 interpretojnë dy pianistët, Tami Kanazawa dhe Yuval Admony.
Programi përmban pjesë nga Maurice Ravel "Rapsodi Spanjolle",
Franz Liszt "Prelude", Witold Lutoslawsky "Variacione mbi një temë të Paganinit", J.S. Bach "Koncert për dy piano", Franz Liszt "Rapsodi Hungareze Nr. 2", etj.
Nesër, në orën 19:00, këta pianistë interpretojnë në Teatrin Bylis, në Fier.