E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukuri të gabuara

Harri Pälviranta, artisti finlandez që ka punuar në Shqipëri për temat e armëve në shtëpi dhe të burgosurit politikë, kuratori i "Sotiri 2009", flet për praninë e dhunës në jetën e përditshme dhe për papërgjegjshmërinë e njerëzve ndaj saj


Artisti finlandez, Harri Pälviranta, kuratori i "Sotiri 2009", thotë se është përpjekur që, me konceptin "Një prekje dhune", t'u lërë dorë të lirë interpretimi fotografëve pjesëmarrës në edicionin e dytë të konkursit ndërkombëtar për fotografët e rinj, që do të hapet më 23 maj, ora 18.00, në Galerinë "Guri Madhi", Qendra Kulturore "Vangjush Mio", në Korçë.


Me temën e dhunës ai është marrë gjatë. Do donte që pjesëmarrësit në "Sotirin" e tij t'u flisnin qartë njerëzve, të cilët janë bërë të pavetëdijshëm për praninë e dhunës në jetën e përditshme.


Po të shtunën, një juri ndërkombëtare do të vlerësojë dy më të mirët, njëri që do të marrë çmimin e madh "Sotiri", me vlerë 150 mijë lekë, çmim që jepet nga bashkia e qytetit. Ndërsa tjetri, çmimi II, i jepet një fotografi të ri shqiptar, i cili fiton një bursë për të ndjekur kursin e plotë të fotografisë tek "Projekt 5.6." në Tiranë.


Më 24 maj, Qendra Kulturore "Lindart & Anima/Projekt 5.6" dhe Bashkia Korçë, organizatorë të "Sotiri"-t, ftojnë publikun në diskutimin e orës 10.00, "Korça në imazhe".


Marrin pjesë Natasha Lako, Maks Velo dhe Ben Blushi. Ndërsa në orën 17.00 do të bëhet prezantimi i artistëve Stratos Kalafatis (Greqi), Harry Pälviranta dhe Ivan Blazhev (Maqedoni).


Si janë ditët e fundit të punës së kuratorit për "Sotiri 2009"?


Së pari, tema "Prekja e dhunës" sigurisht që është e lidhur ngushtë me interesat e mia artistike. Kur Eleni më propozoi të bëja kuratorin, mendova se do të ishte mirë që të propozoja një temë, me të cilën jam marrë edhe vetë.


Besoj se kur një gjë e njohim prej kohësh, puna bëhet më interesante. Nga ana tjetër, nuk doja të sugjeroja rregulla strikte për domethënien e prekjes dhe të dhunës. Edhe përshkrimin e temës e bëra në mënyrë të tillë që të ishte e hapur për interpretime dhe besoj se rezultati i është përgjigjur kësaj dëshire të fillimit.


Akoma nuk i kam parë punët të varura në mur, por sigurisht që ia kam parë kur kam bërë zgjedhjen. Më pëlqen larmia dhe ndryshimet e mëdha midis punëve dhe brenda secilës punë. Vijnë nga vende të ndryshme, nga e gjithë bota, Amerikë, Serbi, Izrael, Itali, Singapor, Gjermani, Moldavi, Kosovë dhe, sigurisht, nga Shqipëria.


Megjithëse ju e lini të hapur interpretimin, çfarë sugjeron "The touche of violence"?


Dy konceptet kryesore janë prekja dhe dhuna. Prekje do të thotë të prekësh dikë apo diçka, po edhe të emocionosh dikë.


Po kështu, edhe kuptimi i dhunës është sa për dhunën fizike, aq edhe për dhunën shpirtërore apo mendore. Dhuna është e tillë që, edhe atëherë kur ndjejmë se nuk kemi një kontakt personal me çështje që kanë të bëjnë me dhunën, ne prapë jemi në kontakt me të.


Për shembull, kur lexojmë gazetën, kur shohim televizor apo kinema, etj., në mënyrë të vazhdueshme ne jemi në prezencën e larmishme të dhunës. Është e domosdoshme që njerëzit ta marrin në konsideratë se si dhuna bëhet pjesë e jetës së përditshme dhe se si ne, edhe pa dashje, përfshihemi çdo ditë në praktikat e dhunës. Këtë gjë do doja të shihja në konkursin "Sotiri 2009".


Mendoni se aksidentalisht tema mund t'i lidhë të huajt me një Shqipëri të dhunës, të mungesës së sigurisë, të kaosit?


Besoj se tashmë kam nisur ta studioj Shqipërinë aq sa t'u shmangem gjykimeve të gabuara. Ky vend dhe njerëzit e tij janë vërtet të tërheqës, zhvillimi është i dukshëm për mirë. Më pëlqen së tepërmi Shqipëria.


Është e vërtetë që kur u thua njerëzve po shkoj në Shqipëri, qoftë vendasve të mi, në Finlandë apo nga vende të tjera, thonë "Ouuuu!!!". Stereotipet akoma ekzistojnë.


Ndoshta njerëzit me veten e tyre mund të bëjnë lidhje të këtij lloji mes temës së ekspozitës "Sotiri" dhe Shqipërisë, por asnjë nga punët e konkursit nuk ka të bëjë me dhunën në Shqipëri. Edhe dy fotografët shqiptarë pjesëmarrës trajtojnë tema dhe çështje që ekzistojnë kudo në botë.


Kurse në raport me veprën e vetë Kristaq Sotirit, këtij artisti lirik, kjo temë duket një paradoks...
Nuk mund të them se e njoh mirë historinë e Sotirit si fotograf, por njoh veprën e tij. Dhe veprat e tij janë të tilla që, edhe po të thuash se janë bërë në Paris, do të ishte e besueshme.


Ato janë të bukura, janë të lidhura me estetikën më bashkëkohore evropiane të kohës. Mua më duken veçanërisht të bukura dhe lirike. Është një artist që ka dhënë shumë për fotografinë shqiptare.


Por kohët ndryshojnë, tani jemi në një kontekst tjetër, kemi të bëjmë me një estetikë tjetër. Kështu që, si vazhdimësi dhe në relacion me punët e Sotirit, ekspozita që do të shihni, është bashkëkohore në të njëjtin kuptimin siç ishte bashkëkohore fotografia e Sotirit me kohën e tij.

Çfarë doni të tregoni ju?


Unë dua që fotografitë t'i emocionojnë njerëzit dhe tema "Prekja e dhunës" të jetë e kapshme nga audienca. "Prekja e dhunës", parë me sytë e fotografëve të kësaj ekspozite, trajton tema jo të rehatshme.


Audienca nuk është e distancuar nga këto tema, përkundrazi, është shumë e lidhur. Pa këtë publik fotografët nuk mund të ekzistojnë. Shpresoj që ata dhe ekspozita në tërësi ta shtyjë publikun që ta vrasë mendjen për dhunën dhe aktet e dhunës.


Çfarë doni të thoni me "temë jo fort e rehatshme"? Duket sikur ka një kontradiktë mes dhunës si akt dhe interpretimit të saj në veprën e artit. Kur dhuna është e bukur?
Është shkruar shumë për këtë temë. Për shembull, Sigmund Frojd dhe psikanalistët kanë shkruar për frenimin dhe sublimimin.


Të dy konceptet i referohen një përvoje që është shumë tërheqëse: ti dëshiron të provosh, por nga ana tjetër ndihesh i tmerruar ose jo rehat. Kjo është një temë që më intereson shumë.


Si artist unë dëshiroj që të arrij të realizoj foto që, edhe të tërheqin, edhe të godasin. Them se këtu konsiston "Sotiri" i këtij edicioni: e bukura si diçka që edhe shqetëson. Unë jam i interesuar tek kjo dialektikë.


Pavarësisht se dhuna mes njerëzve nuk është gjë e re, në fotografi ju e shikoni si një proces që ia "zhvatni" realitetit?


Sigurisht që unë nuk shpik, por vështroj botën, e cila sugjeron mundësi për të punuar. Nuk jam poet, imagjinata ime nuk është kushedi e çfarë niveli për të krijuar mundësi të reja, por bëj përpjekje që të shoh me kujdes tek gjërat.


Pastaj unë punoj me atë gjë që veçoj, që vërej. Përvoja e përçdoditshme na thotë se ekzistojnë gjëra të bukura, të mrekullueshme, të cilat në të njëjtën kohë mund të jenë jo shumë të moralshme. Po marr një shembull. Në rrugët e Tiranës shoh femra të bukura.


Si mashkull, këto bukuri kanë diçka që nuk është qëllim. Sigurisht që lidhet edhe me marrëdhëniet e gjinive. Por, nëse unë shoh vajza të bukura, por shumë të reja, ndërgjegjja ime e di se nuk është etike që unë të kem këto ndjesi dhe dëshira. Ja ku jemi në një marrëdhënie ku, e bukura nga pikëpamja etike, është e gabuar.


Kjo ndodh edhe në një landscape, apo do të thosha se, bukuri ka edhe tek gjaku. Ngjyra e gjakut është e bukur, ka bukurinë e vet estetike. Po më thoni: nëse shihni fytyrën e dikujt të larë me gjak, a do të quanit "të bukur"?


Po, në rastin kur e merrni në konsideratë si një imazh. Pra, në procesin tim të të menduarit (për fotografinë), ka një dialog të vazhdueshëm kur shoh gjëra që janë të bukura, por jo etike dhe të gabuara.


Aktualisht me se po merreni?


Jam akoma i angazhuar me një projekt të rëndësishëm mbi kulturën e armëve në Finlandë. Në Shqipëri kam dy projekte që janë në proces, por nuk jam i sigurt se në cilin drejtim do t'i ndjek.


I pari është me portretet e ish-të dënuarve politikë. Tjetri është për bunkerët dhe pikërisht për këtë nuk jam i sigurt, sepse është një temë shumë e shfrytëzuar në fotografi.


Armë, burgje, bunkerë. Ka diçka mes dhunës dhe izolimit në këtë mes...
Izolimi është diçka që nuk është në temat e mia për momentin. U bënë dhjetë vjet që punoj për tema që lidhen me dhunën.


Të them të drejtën, nuk e di se cila është origjina e interesave të mia. Jam shumë i interesuar për etikën, por kjo nuk do të thotë që bëj vetëm gjëra të mira, mund të kem bërë edhe gjëra shumë të këqija.


Kam qenë po aq i interesuar të ndjek nga afër marrëdhëniet me pushtetin, me strukturat e pushtetit. Pyetja që shtroj është kjo: përse përdorimi i pushtetit mund të çojë në zgjidhje të gabuara?

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›