Abuzimet me fondet për të ngujuarit,një tjetër ish-ministër i pandehur
HETIMET/ Ali Alushani dhe Demir Hysenbelliu janë njohur dje me akuzat e ngritura ndaj tyre nga prokuroria
BERAT - Dosja e hapur për abuzimin me fondet e qendrës së fëmijëve të ngujuar në Poliçan tashmë ka tre të pandehur. Emrit të ish-ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, tashmë i bashkangjitet një tjetër emër ish-ministri e pikërisht ai i Ali Alushanit (ish-ministër shëndetësie në kohën e komunizmit dhe kardiokirurg), që është kryetari i bordit të shoqatës së drejtuar nga Liljana Luani, drejtoreshë e qendrës.
I pandehuri tjetër është Demir Hysenbelliu, financier i qendrës së fëmijëve të ngujuar. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria e Beratit, të dy personat janë thirrur në këtë institucion mesditën e djeshme dhe u është komunikuar akuza e "vjedhjes me anë të mashtrimit", si dhe "falsifikimit të dokumenteve.
Bëhet e ditur se Alushani dhe Hysenbelliu do të hetohen në gjendje të lirë lidhur me akuzat e ngritura ndaj tyre. Hetimi për abuzimet me fondet e qendrës së fëmijëve të ngujuar në Poliçan ka nisur disa muaj më parë, pas akuzave të ngritura nga drejtoresha e kësaj qendre, Liljana Luani.
Ajo denoncoi për vjedhjen e fondeve që ishin akorduar për qendrën që ajo drejtonte nga ministria, si dhe nga Banka Botërore. Bëhet fjalë për një shumë rreth 190 mijë dollarësh amerikanë, nga të cilat një fond prej 100 mijë dollarësh ka qenë pjesë e një projekti të Bankës Botërore për rikonstruksionin e godinës së qendrës.
Po kështu, abuzimet janë kryer për një fond prej 2,7 milionë lekësh që janë akorduar nga Ministria e Punës në fund të vitit 2006, për ushqimin e fëmijëve dhe për pagesa të tjera të qendrës.
Fondi i tretë mësohet se kap vlerën e rreth 5 milionë lekëve të reja të akorduara po nga kjo ministri vitin e kaluar për shpenzime të nevojshme të kryera në qendër dhe për kryerjen e pagesave të ushqimeve të blera për fëmijët.
Por sipas Luanit, këta para nuk kanë mbërritur asnjëherë në qendër. Akuza e ngritur ndaj ish-ministrit Barka është ajo e "shpërdorimit të detyrës", ndërsa ai vetë e ka quajtur akuzën me prapavijë politike.