Thyejnë rekord
Vazhdon festivali i dhjetë i DokuFest’it në Prizren. Tani, pas 4 ditëve të festivalit, në Prizren vërehet të kenë ardhur shumica e atyre që ishin planifikuar, ndonëse ditëve në vijim pritet të vijnë edhe shumë e shumë filmdashës të tjerë, si nga Kosova ashtu edhe nga rajoni dhe bota.
Sipas një deklarate për media të drejtorit artistik të festivalit, Veton Nurkollarit, sivjet është thyer rekordi i shitjes se biletave, dhe organizatorët janë shumë të kënaqur me rrjedhën e festivalit. “Gjithçka është duke shkuar mirë, ashtu siç e kishim planifikuar”, tha ai.
Ajo që vlen të ceket është se, përveç shfaqjes së filmave dokumentarë, në DokuFest po ndodhin edhe aktivitete të tjera, si DokuKids, ku fëmijë të shumtë po argëtohen me aktivitetet dhe punëtoritë e shumta. Po ashtu, vlen të përmendet edhe seksioni DokuNights, i cili organizohet në kuadër të festivalit, dhe që po sjellë grupe të njohura muzikore nga rajoni dhe më gjerë.
Ndryshe, para dy ditësh DokuNights ka anuluar performimin e një grupi nga rajoni, në shenjë solidarizimi me policin e vrarë në Mitrovicë dhe me situatën që po mbretëron në atë pjesë të vendit.