E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhen drejtorët

Regjisori Fatos Berisha është zgjedhur drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Emin Emini drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa Shkurte Kadriu, u.d. e drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës. Nga Express më 29 korrik 2011 në ora 10:09

Fatos Berisha do të jetë Drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka emëruar regjisorin Berisha në këtë post për një mandat katër vjeçar.

Ky vendim është i bazuar në Nenin 145 pika 2 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenin 8, paragrafi 1.4 të Rregullores Nr. 02/2011 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, Neneve 30 dhe 32, të Ligjit Nr.2004/22 Për Kinematografinë, Nenit 8 të Statutit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, dhe propozimit të Këshillit Drejtues të QKK-së.

Në anën tjetër Këshilli Drejtues i Tetarit Kombëtar të Kosovës (TKK), bazuar në kompetencat ligjore që ka me Ligjin për Teatrin, ka zgjedhur Emin Eminin, Drejtor Artistik të TKK-së. Zgjedhja e tij vjen pas një konkursi publik dhe procesit të rregullt të intervistimit të kandidatëve që kishin konkurruar. Emini në këtë pozitë, në bazë të ligjit, emërohet për një mandat tre vjeçar.

Ndërkohë, pasi që Këshilli Drejtues i Galerisë së Arteve të Kosovës ka shkarkuar Fahredin Spahiun nga pozita e drejtorit të Galerisë, ministri Krasniqi, në bazë të kompetencave ligjore, ka emëruar ushtruese të detyrës së drejtorit, Shkurte Kadriun. Kjo e fundit emërohet në këtë pozitë deri në zgjedhjen e Drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës përmes procedurave të parapara me ligj dhe është përgjegjëse të ushtrojë të gjitha kompetencat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›