Partitë "marrin" pushimet, selitë "mbyllen" para ditës së ndërrimit të viteve

Ndonëse pushimi zyrtar ende nuk ka nisur, për të gjithë institucionet e vendit kjo gjë duket qartë se nuk respektohet. Partitë politike janë ato të cilat më së shumti kanë mbyllur dyert dhe kanë nisur pushimet e ndërrimit të viteve. Nga një vëzhgim i bërë në disa prej selive kryesore në vend, secila prej tyre ndonëse derën e ka hapur brenda ndodhen pak ose shumë pak njerëz. Madje edhe komunikimet me median secila prej tyre i ka pakësuar ose sheshuar fare duke lejuar qytetarët t'i shijojnë këto festa larg akuzave dhe sulmeve politike. Jo vetëm kaq, por edhe institucionet kryesore në vend nuk presin asnjë qytetar. Disa prej ministrive kanë mbajtur hapur zyrën e pritjes së qytetarëve, por asnjë nuk e ka marrë mundimin të kërkojë zgjidhjen e halleve e të problemeve në ministrinë përkatëse. Ditët e fundit të vitit, padyshim që nuk kanë rritur besimin e qytetarëve tek institucionet për zgjidhjen e halleve të tyre. Qeveria shqiptare ka vendosur që institucionet e saj dhe administrate në vend të punojë edhe në datën 31 dhjetor. Por padyshim që qëndrimi në zyra dhe në institucione nuk do të ketë dinamikën e ditëve të tjera të vitit.