E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët, apel drejtësisë Xhani: Situatë pa kuptim

TIRANE-Teper i merzitur dhe jo në stilin e tij të zakonshëm prej oratori, presidenti i Partizanit Albert Xhani nuk ka pranuar të bëjë shumë komente në lidhje me sherrin e dy ditëve më parë me tifozët, që çoi në plagosjen e tij në kokë nga goditja me një pllakë guri. Kreu i të kuqve, i kontaktuar me telefon nga "Gazeta Shqiptare", e ka konsideruar gjithë këtë situatë si të pakuptimtë. "Nuk e di se ç'punë ka FSHF në këtë mes, nuk dua të jap deklarata për këtë, sepse çdo gjë është e pakuptimtë, - komentoi shkurt ai. - Mos më quani president, nuk kam çfarë t'ju them.... Sherri? E kanë mësuar të gjithë, nuk dua të bëj ndonjë koment", shtoi Xhani, duke lënë të kuptohet se e gjithë situata që rrethon klubin e tij, e ka stresuar jo pak. Ai ka aktualisht në përdorim stemën e Partizanit, të cilën Ministria kërkon t'ia marrë mbrapsht, duke pretenduar se nuk janë zbatuar kushtet e vendosura në momentin e dhënies së saj.
Tifozët
Në një deklaratë të publikuar të hënën vonë, grupimi i tifozëve të Partizanit "Ultras Guerrils" i ka bërë apel drejtësisë të lirojë tifozin e arrestuar për dhunën ndaj presidentit Albert Xhani. Ai pritet të dalë sot para togave të zeza për masën e arrestit, ndërsa sipas grupimit, ai është i pafajshëm. "Anëtarë të tifo-grupit tonë shkuan në FSHF nga dëshira për të dëgjuar një lajm të mirë për Partizanin, por aty u përballën me Albert Xhanin, të cilin të gjithë e njohin si shkaktarin kryesor të gjendjes mjerane të klubit tonë, - thuhet në komunikatën e "Guerrils". - Pas disa replikash në distancë, gjithçka përfundoi me rrahje mes tifozëve dhe Xhanit, pasi ky i fundit jo vetëm që i provokoi tifozët e pranishëm, por edhe i shau. Në rajon përfunduan dy prej tifozëve dhe njëri prej tyre u lirua prej moshës 16-vjeçare. Por, ishte një lirim me dhimbje, sepse ai ishte rrahur keqazi nga policia. Ndërsa tjetri del të mërkurën para gjyqit dhe për këtë arsye, i bëjmë thirrje Drejtësisë Shqiptare, në emër të 1 milion tifozëve të Partizanit: lironi vëllanë tonë, sepse ai s'ka asnjë faj. Gjithçka ka degraduar deri këtu për faj të Albert Xhanit, i vetëquajtur president i FK Partizanit", përfundon kjo deklaratë.
Federata
Federata Shqiptare e Futbollit ka zbuluar dje se është duke e marrë seriozisht në shqyrtim kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes, që të mos lejohet të regjistrohet në kampionat Partizani i Albert Xhanit. Thënë ndryshe, në këtë konflikt është përfshirë edhe FSHF, ndonëse mbetet i paqartë qëndrimi i saj. "Ministria na ka kërkuar që kjo skuadër të mos pranohet në kampionat me këto kushte dhe ne vendosëm që t'ia kalojmë njëherë çështjen një zyre juridike, - deklaroi Prodani. - Nuk e dimë se çfarë do të bëhet, do të presim njëherë një argumentim juridik, pastaj Komiteti Ekzekutiv do të dalë në një vendim", u shpreh ai. Ndërkohë që përplasja mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe presidentit Xhani është ende në Gjykatë, pritet që edhe FSHF të thotë të sajën në këtë betejë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›