E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çela: Tani duam Kupën

celaMbrojtësi  memaljot, i cili ringjalli Laçin në gjysmëfinalen ndaj Kukësit, shprehet optimist për ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë

Emiliano Çela ishte heroi i gjysmëfinales mes Laçit dhe Kukësit, pasi shënoi golin e dytë për vendasit dhe u dha atyre,  kualifikimin historik për në finale. Ky ishte goli i parë për Çelën me fanellën bardhezi, ndërsa duhet theksuar se këtë sezon ai kaloi nga ferri në parajsë, pasi në fazën e parë të sezonit është aktivizuar me Apoloninë e vendit të fundit.

Në një prononcim për Sportin Shqiptar, mbrojtësi që ka nisur karrierën te Partizani, deklaroi se ishte shumë i lumtur për golin, por bën modestin kur thotë se nëse nuk do ishte ai do ishte një tjetër që do kishte shënuar.

Nuk mendoj se ndeshjen e zgjidhi goli im. Ne ishim duke ushtruar presion te porta e Kukësit gjatë gjithë pjesës së dytë, dhe akoma më shumë pasi pësuam golin. Mendoj se nëse nuk do isha unë, do kishte shënuar ndonjë tjetër nga ekipi dhe do e kishim marrë fitoren.

Ishte fat që unë rastisa në momentin e duhur, në vendin e duhur dhe mbi të gjitha bëra goditjen e duhur, duke i dhuruar fitoren ekipit në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit deklaroi Çela. Më tej, ai flet dhe për presionin që u ndje përpara dhe gjatë ndeshjes, si dhe komenton ecurinë e ndeshjes. Ishim shumë në presion për të marrë një fitore, pasi përveç presionit të lojtarëve dhe atij personal, ndjenim dhe presionin e tifozëve.

Laçi vetë si qytet është një qytet që të bën të ndihesh nën trysni, pasi është një qytet i vogël dhe të gjithë njihen me njëri-tjetrin dhe janë dashamirës të sportit, dhe si të tillë i kishin sytë nga ne sot. Dashur, pa dashur na vunë nën presion dhe kjo u vu re në minutat e para të ndeshjes.

Megjithatë, e morëm veten shpejt dhe me kalimin e minutave e shtruam lojën dhe ja dolëm të shënonim. Më pas, kaluam një moment të errët shpërqendrimi, i cili nuk duhet të ndodhte. Si pasojë pësuam golin në ato minuta, por ky është futbolli. Më vonë, ne ja dolëm të shënonim dhe fituam. Tani jemi në finale, dhe duhet të përgatitemi sa më mirë dhe pse jo të fitojmë trofeun tha Çela.

Në fund, heroi i gjysmëfinales për laçjanët, gjen kohë për të folur dhe për finalen dhe vlerëson kundërshtarin por shpreson te rezultati pozitiv dhe te ngritja e trofeut. Shpresoj që në finale ta zgjidhim ndeshjen ashtu siç bëmë me Kukësin dhe të ngremë trofeun. Ky shpenzim disavjeçar  i Presidentit Laska, duhet shpërblyer. Mendoj se ka ardhur koha për të marrë frytet e këtij investimi, dhe ne duhet të bëjmë maksimumin që të justifikojmë të gjitha kushtet që  na janë ofruar.

Për sa i përket finales, mendoj se këto dy ekipe kanë shanse të barabarta për të fituar kupën, por një përqindje më të vogël më shumë mund ta ketë Bylisi, pasi në ndeshjen në Ballsh na ka mundur me shifra të thella. Në ndeshjen në Laç, kemi luajtur një ndeshje shumë të vështirë, edhe pse në fund ja dolëm të fitonim.

Mendoj se finalet janë sfida të vështira, që caktohen nga episode të veçanta. Janë shumë faktorë që do të përcaktojnë se kush do e zgjidh më mirë, si eksperienca apo niveli i ekipeve në fushë, por uroj që të jemi në ata që do fitojnë. Ky qytet e meriton një trofe, për mënyrën sesi e përjeton futbollin ka mbyllur prononcimin e tij, Emiliano Çela.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›