Tifozet me Kasijasin

Stërvitja e fundit e vitit tradicionalisht ndahet me tifozët. Reali i Madridit i hapi edhe një herë dyert e kompleksit stërvitor në Valdebebas.
Ndërsa tribunat e stadiumit “Alfredo di Stefano” u mbushën me rreth 7 000 vetë dhe lojtarët nisën të dilnin në fushë e të bënin nxemjen, vëmendja ishte e përqëndruar në dy figura.
Le të rrijë në hije superylli Kristiano Ronaldo dhe të mendojë për trishtimet e tij.
Tifozët ishin aty për kapitenin e tyre, Iker Kasijas, portierin e shkëlqyer që po kalon një moment të vështirë. Ai u la në stol në ndeshjen e fundit në kampionat në Malaga dhe vendin e tij e zuri Antonio Adan.
Natyrisht, tifozët ishin në “Alfredo di Stefano” edhe për Zhoze Murinjon, trajnerin krenar portugez, veçse jo për ta kundërshtuar, porse për t’i treguar se ata ishin dhe janë me simbolin e tyre, Kasijas.
U fol për një takim mes Murinjos dhe Kasijasit, pikërisht në stërvitje. Asgjë nuk të thotë se kjo gjë ndodhi, ndonëse Iker do të vazhdojë të luftojë besnikërisht për kauzën “merenges”.
Sa për presidentin, Florentino Perez. Ndërsa firmos autografe ai e ka mendjen tjetërkund. Duhen fituar tituj dhe duhen shuar konfliktet në familje. Dy detyra aspak të lehta, por ai e ka bërë urimin për 2013-ën.