E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozet ne Brazil 2014

FIFA ka paralajmëruar Brazilin se duhet të nisë të shqetësohet për udhëtimin, akomodimin dhe komoditetin e tifozëve për Botërorin 2014. Vendi latin pritet të vizitohet nga rreth 500 mijë persona gjatë evenimentit më të rëndësishëm të futbollit.

Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke deklaroi se gjithçka pritet të jetë në rregull për skuadrat pjesëmarrëse në aktivitet, megjithatë tifozët nuk duhen lënë pas dore, mbi të gjitha përsa i takon udhëtimit në qytetet e ndryshme braziliane.

Komentet e numrit 2 të FIFA-s, që shprehu besim te puna e autoriteteve vendase, erdhën pas vizitës në stadiumin “Maracana”, që po rindërtohet për të qenë gati fillimisht për Kupën e Konfederatave në vitin 2013 dhe më pas për Kupën e Botës.

“Inspektimi shkoi shumë mirë dhe do të kemi kohë që të zhvillojmë disa aktivitete testuese. Besojmë te njerëzit që punojnë për ne dhe te përkushtimi i qeverisë. Autoritetet po punojnë që çdo gjë të jetë gati, duke nisur prej gjashtë qyteteve ku do të organizohet Kupa e Konfederatave”.

Valcke nënvijëzoi se në shumë raste, tifozëve do tu duhet që të largohen brenda ditës nga qytetet ku do të luhen ndeshjet e Kupës së Botës për shkak numrit të vogël të dhomave në hotele.

Por, problemi më i madh mbetet transporti. Udhëtimet me aeroplan janë të gjata, realizohen me shumë ndalesa dhe me tranzite disa-orëshe në Sao Paulo. Ndërkohë, udhëtimet nga rruga ndërmjet krahinave të ndryshme zgjasin disa ditë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›