Mustafi po shijon Serinë A

Pak më shumë se 270 minuta në Serie A dhe duket si një veteran i vërtetë. Vullneti, përkushtimi, vrapimi dhe dedikimi. Një siguri në krahun e djathtë. Shkodran Mustafi, 20 vjeç, ka ditur të presë dhe tash po e shijon momentin e mirë të tij dhe të Sampdorias.
“Në dy ndeshjet e fundit ekipi ka luajtur mirë dhe i kemi arritur dy suksese. Duke luajtur është e qartë se besimi fitohet, posaçërisht nëse ndeshjet fitohen”, ka thënë mbrojtësi kosovar për ueb faqen zyrtare të ekipit italian.
“Tri herë kam luajtur në një rol që nuk është imi, por trajneri beson se unë mund të luaj aty dhe adaptohem pa problem. Sot kam bërë disa harkime, sepse Bologna me 10 lojtarë nuk kishte më hapësira”, vazhdoi futbollisti me pasaportë gjermane.
Ai ndihet mirë që ekipi nga Genova ia doli ta mposhtë Bolognan, e cila krijoi vështirësi pasi që u mbrojt me të gjithë ekipin. Numri 8 i Sampdorias thotë se me rëndësi është që Samp nuk po pëson gol. Ai beson se seria pozitive e ekipit bardh e kaltër mund të vazhdojë edhe në ndeshjet në vazhdim.
“Nëse luajmë si në dy ndeshjet e fundit, mund të llogarisim në fitore edhe të dielën e ardhshme ndaj Fiorentinës. Jemi një skuadër me një miks të mirë të të rinjve dhe lojtarëve me eksperiencë. Duhet të provojmë”, përfundoi Mustafi.
20 vjeçatri gjatë afatit kalimtar të verës që shkoi, nga ekipi anglez Evrton ishte transferuar te Sampdoria.