E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozi ia lë shtëpinë skuadrës së zemrës

“Pas vdekjes, dua që shtëpia ime t’i jepet skuadrës që kam dashur për gjithë jetën.” Ky është testamenti i Mile Srbin, një tifoz i çuditshëm 88 vjeçar, mbështetësi më i vjetër i ekipit të Yllit të Kuq në Serbi. Mile, një ish-shitës në një treg në Beograd, ia lë idhujve të tij apartamentin, i cili, në njëfarë mënyre, është një muze i klubit: fotografi, stema të ekipit dhe autografe.  

Tri herë ai ka tentuar të vetëvritet, si pasojë e humbjeve të ekipit të tij të zemrës. Përpjekja e fundit ka qenë në vitin 1970, kur Ylli i Kuq i Beogradit u eliminua nga Panathinajkosi në Champions Ligë. “Atëherë nuk shkova në Greqi, e ndoqa ndeshjen nga televizori, por nga dëshpërimi vendosa të vras veten – shpjegon ai.- Menjëherë pas ndeshjes kaloja nga një kafene në tjetrën, piva rreth njëzet gota konjak dhe tymosa dy paketa cigare... Në fakt, kurrë në jetën time nuk kisha pirë alkool apo duhan.”

“Hera e parë ishte në vitin 1953, kur në finalen e Kupës së Jugosllavisë, pësuam shtatë gola nga Partizani i Beogradit. Doja të vdisja. Pësova infarkt dhe kalova një muaj në spital. Që atëherë, nuk kam shkuar kurrë në stadiumin e Partizanit.”- tregon 88-vjeçari.

Kurse hera e dytë ishte më 10 prill 1957, në Firence të Italisë. Në ndeshjen e kthimit për gjysmëfinalet e Kupës së Kampionëve, Ylli i Kuq barazoi 0-0 ndaj Fiorentinës dhe u eliminua. “Isha i zhgënjyer dhe duke u kthyer nga stadiumi, vendosa t’i jap fund jetës. U hodha në shinat e trenit në stacionin e Firences, por dikush më pa dhe më shpëtoi jetën.”

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›